Robert Goro
27 Mars 2018
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias do të zhvillojë të enjten, më 29 mars, një takim me homologun e vet shqiptar, Ditmir Bushati.
Në fakt, Kotzias do të fluturojë të enjten drejt Vienës, ku të premten do të takohet me homologun maqedonas Nikolla Dimitrov dhe negociatorin e OKB-së për çështjen e emrit, Matzhew Nimetz.
Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar rreth këtij takimi, TV Tribuna mundi të mësojë se avioni qeveritar grek do të bëjë një ndalesë prej rreth tri orësh në aeroportin e Rinasit.
Vetë ministri i jashtëm grek do të shkojë në Tiranë, për të zhvilluar një takim kokë më kokë me shefin e diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati.
Burime diplomatike në Athinë thanë për TV Tribuna se ka shumë gjasë që takimi që bëhet pa praninë e mediave dhe madje gazetarët grekë që shoqërojnë ministrin Kotzias për takimin e Vienës, të qëndrojnë në Rinas.
Të njëjtat burime thanë se takimi inkuadrohet në përpjekjet e Athinë dhe Tiranës për të mbajtur aktiv dialogun e filluar në nëntor të vitit të kaluar.