Të mërkurën në mbrëmje vendoset votëbesimi për qeverinë Tsipras
Tribuna TV
16 Janar 2019
Mbrëmjen e të mërkurës pritet të kryhet procesi i votimit për marrjen e votëbesimit bga qeveria Tsipras. Kërkesa u depozitua të dielën, menjëherë pas largimit nga koalicioni qeveritar të Panos Kammenos.
Votimi i të mërkurës do të kryhet nominativ, se cili deputet më vete. Mbi bazën e të dhënave të deritanishme, qeveria pritet t’i sigurojë 151 votat e nevojshme. Këto do të dalin nga 145 votat e deputetëve të SYRIZA-s, plus: ministrja e turizmit Elena Kundura, zëvendësministri i bujqësisë Vasilis Kokkalis, deputeti Kostas Zuraris, Dimitris Papahristopoulos (që të katër nga partia e Kammenos), zëvendësministrja e mbrojtjes së qytetarit Katerina Papakosta (e përjashtuar kohë më parë nga Demokracia e Re) dhe deputeti Spiros Danellis (u përjashtua të martën nga Potami).
Pikërisht vendimet e këtyre deputetëve për të votuar pro qeverisë, ka stimuluar tone mjeft të larta në ditën e parë të debatit parlamentar, kur u pozicionuan gjithë liderët e partive.
Tsipras, duke iu referuar kritikave të opozitës se pas largimit të Kammenos ai po “josh” deputetë nga forca të tjera politike me qëllim që të ruajë pushtetin, tha ndër të tjera:
“Flisni ju për trafikim? I tundni gishtin një force politike si SYRIZA që gjithë vitet e mëparshme punoi me shtysë të vetme ndërgjegjen, interesin patriotik kombëtar, interesin e maxhorancës së madhe të popullit grek? Një forcë politike e cila me çdo mënyrë dhe me çdolloj kostoje vendos demokracinë dhe vlerat e saj mbi çdo lloj vlere tjetër materiale gjatë gjithë rrugëtimit të saj politik?”.
Kyriakos Mitsotakis e cilësoi qeverinë si “paçavure” dhe largimin e Kammenos si “divorc falco”.
“Tsipras-Kammenos mbeten si ortakë në vathën e pushtetit. Kammenos i jep hua dy deputetë që mbështesin Tsiprasin dhe nuk i përjashton nga partia me qëllim që të mos mbetet pa grup parlamentar. Tsiprasi nga ana e tij vazhdon të mbajë në qeveri dy ministra të ANEL-it. Qeveri paçavure është nocioni i ri që krijoi zoti Tsipras, pas kolotumbas”, tha Mitsotakis.
Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Fofi Gennimata, tha se qeveria aktuale është qeveri minorance. “Për ne jeni një qeveri minorance. Jo, nuk ju besojmë. Duhej të kishit shpallur zgjedhje. Vetëm zgjedhjet mund t’ua mbyllin gojën atyre që flasin për trafikime. Mirëpo ju nuk e bëni, pse keni frikë nga populli”, tha Gennimatas.
Pas votëbesimit, marrëveshja e Prespës
Çështja tjetër që gjithashtu dominoi debatin parlamentar, lidhej me marrëveshjen e Prespës dhe dyshimet se Tsipras synon që ajo të miratohet nga parlamenti para datës 20 janar. Në këtë datë është paralajmëruar një manifestim mbarëkombëtar proteste në sheshin Syntagma para parlamentit.
Burime parlamentare thanë për TV Tribuna se qeveria planifikon që marrëveshja e Prespës të kalojë nga komisioni përkatës i parlamentit të enjten dhe pastaj të shkojë për votim në një seancë plenare, të premten apo të shtunën.
Ndërkaq, burime qeveritare e konsideruan këtë skenar si të pamundur, duke theksuar se procedurat parlamentare nuk mund të reduktohen në mënyrë kaq drastike.
Gjithsesi, burimet qeveritare thanë se synimi i kryeministrit është që një seri çështjesh të kryhen sa më shpejt dhe pa intervale ndërmjet tyre.
Duke filluar nga votëbesimi i qeverisë, votimi i marrëveshjes së Prespës dhe riformatimi i kabinetit qeveritar pas largimit të partisë së Kammenos.
Tsipra gjykon se në këtë mënyrë do të përmirësohet klima politike, çka do të jetë dhe një sinjal pozitiv për tregjet financiare që kanë një lloj rezerve ndaj Greqisë, për shkak të zhvillimeve të fundit.
Ndaje me miqte