0030 210 33 18 483

Të martën paralizohet Athina, në grevë gjithë transporti publik

TV TRIBUNA 17 Shkurt 2020

E marta 18 shkurt parashikohet të jetë tepër e vështirë për gjithë qytetarët e Athinës, dhe sidomos për ata që përdorin mjetet e transportit publik për të shkuar dhe ardhur nga puna.

Të martën pra, do të jenë në grevë 24 orëshe, punonjësit e metrosë, trenit elektrik (ISAP), autobusat urbanë, trolejt dhe tramvaji.

Në grevën e shpallur nga Qendra Punëtore e Athinës (EKA), merr pjesë edhe sindikata e sektorit publik (ADEDY), por edhe ajo e punonjësve të pushtetit vendor (POE-OTA).

Greva bëhet për të kundërshtuar projektligjin e qeverisë për sigurimet shoqërore.

“Jo vetëm që nuk shfuqizohet ligji Katrugalos, siç kishte premtuar para zgjedhjeve qeveria, por me ligjin Vroutsis e ekzekuton sistemin e sigurimeve shoqërore në vendin tonë. Me projektligjin e ri, qeveria dëshmon se do që të ruajë reduktimet në pensione. Ftojmë sindikatat anëtare, të marrin pjesë masivisht në grevë, me qëllim që të pengojnë realizimin e planit të qeverisë që synon t’i vejë pllakën e varrit sigurimeve shoqërore”, theksohet në një komunikatë të EKA-s.

 

Pa kufizim lëvizja në unazën e Athinës

Për shkak të grevës, policia greke ka vendosur që ditën e martë të mos zbatohet rregulli i Unazës (Daktilios), - që normalisht në qendër të Athinës do të qarkullonin vetëm makinat me targa që mbarojnë me numër çift.

Kështu, të martën nuk do të ketë asnjë kufizim dhe gjithë makinat do të mund të qarkullojnë, pavarësisht targës.

Policia bën thirrje që makinat të futen në qendër vetëm për raste të nevojshme, me qëllim që të shmangen rëndesa e trafikut.

Ndaje me miqte