0030 210 33 18 483

Tërmet i fuqishëm në Kretë, një i vdekur

Tribuna TV 27 Shtator 2021

Një person ka humbur jetën si pasojë e tërmetit me magnitudë 5,8 gradë të shkallës rihter që goditi të hënën paradite ishullin e Kretës.

Viktima është një punëtor që po kryente punime në një kishë të fshatit Arkalohori, çatia e së cilës u shemb prej tërmetit.

Një punëtor tjetër që ishte bashkë me të u nxorr i gjallë nga ekipet e shpëtimit.

Sipas shërbimit zjarrfikës ka 9 të lënduar, dy prej të cilëve kanë fraktura dhe janë dërguar në spital për trajtim.

Sipas informacioneve të para dëmtime serioze janë shkaktuar në rrjetet e ujësjellësit, por dhe në banesa dhe objekte social kulturore, përveç Arkalohorit, në Rusohoria, Arhontiko dhe Pacideros.

Në zonë ndodhen forca të shumta të zjarrfikëses dhe ekipe shpëtimi, ndërsa ka mbërritur në Kretë edhe ministri i mbrojtjes civile, Kristos Stilianidis.

Tërmeti u shënua në orën 9,15 të së hënës në pjesën lindore të Kretës.

Magnituda ishte 5,8 gradë të shkallës rihter dhe vatra ndodhej në thellësi 10 km.

Pasuan lëkundje të shumta metasizmike, dy prej të cilave kishin magnitudë 3,8 dhe 4,5 rihter.

Lëkundjet e ndjenë në gjithë Kretën, madje dhe në Santorini.

Sizmologu i njohur Eftimios Lekkas, e cilësoi tërmetin e Kretës si rrufe në qiell të kthjellët dhe të papritur.

“ishte një tërmet që nuk e prisnim”, pranoi Lekkas, duke folur për agjencinë zyrtare të lajmeve ANA-MPA.

I pyetur nëse do të ketë ndonjë goditje më të fuqishme, Lekkas tha:

“Çfarë mund të thuhet pas kësaj? Për momentin kemi një veprimtari të konsiderueshme metasizmike, më e fuqishmja prej të cilave ishte 4,5 rihter në ora 09,37. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm dhe t’u shmangen godinave të vjetra”.

Ndaje me miqte