0030 210 33 18 483

Tërmeti 6,4 ballë në Zakinthos, vetëm dëme materiale

Tribuna TV 26 Tetor 2018

Një lëkundje e fuqishme tërmeti, me magnitudë 6,4 gradë të shkallës Rihter ka tronditur Greqinë mesnatën e të enjtes për të premte.

Ishte ora 01,54 dhe epiqendra u lokalizua në detin Jon, 44 km në jugperëndim të ishullit Zakinthos.

Instituti gjeologjik amerikan USGS e përllogariti në 6,8 ballë magnitudën e tërmetit që u ndje fuqishëm edhe në Athinë.

Lëkundjet e tërmetit u ndjenë edhe në vendet fqinje, Shqipëri, Itali, Maltë, Libi.

Tërmeti shkaktoi dëmtime në portin e Zakinthos, në njësi tregtare dhe banesa.

Nga porti i Zakinthos u larguan të gjitha automjetet pasi pësoi shembje sheshi prej betoni. Ndërsa në molin e Agio Sostis, u dëmtua kalata.

Një banesë e braktisur në Langadhakia u shemb krejtësisht, ndërsa në mjaft shtëpi u thyen xhamat.

Për disa orë u ndërpre furnizimi me energji elektrike, që u rivendos në orët e para të mëngjesit.

Shumica e banorëve e kaluan natën jashtë. Me urdhër të bashkisë, të premten do të qëndrojnë mbyllur gjithë shkollat e ishullit.

Dëmi më i madh u shënua në ishullin e vogël Strofades, ku u shemb manastiri kështjellë i Shën Dionisit. Manastiri ishte një objekt bizantin i shekullit të 13-të.

Kreu i Entit të Mbrojtjes antisizmike, Eftimios Lekkas, deklaroi në televizionin publik ERT se dëmtimet nga tërmeti ishin “jashtëzakonisht të kufizuara”. “Isha i shqetësuar për pjesën jugore të ishullit, mirëpo zona rezistoi”, tha Lekkas, duke shtuar që nëse tërmeti ishte shënuar “më afër, atëherë do të kishim probleme të mëdha”...

Zakinthos dhe ishujt fqinjë, Ithaka dhe Kefalonia, ishin goditur në gusht 1953 nga një tërmet i fuqishëm, që kishte shkaktuar 450 të vdekur dhe mijëra të plagosur, ndërsa dëmet materiale ishin kolosale.

Ndaje me miqte