0030 210 33 18 483

Tërmeti i 26 nëntorit/ Rëndohet në 49 numri i viktimave, banorët e mbetur pa strehë akomodim në hotele

ATSH 29 Nentor 2019

TIRANË, 29 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “bilanci i jetëve të humbura nga tërmeti i 26 nëntorit ka arritur në 49, prej të cilëve 25 në Durrës, 23 në Thumanë dhe 1 në Laç.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se, “në qarkun e Durrësit janë 1260 persona të akomoduar, nga të cilët deri tani janë 625 në hotele dhe 360 në palestrat e shkollave, ndërsa  të tjerët në çadra apo tek të afërmit”.

Kryeministri tha se në Thumanë janë rreth 500 persona të akomoduar në çadra dhe për ta ka filluar transporti nga kampet për në hotele në Shëngjin.

“Deri tani janë transportuar 16 familje me 64 persona por siç e kemi diskutuar sot, qoftë çadrat në Thumanë qoftë çadrat në Laç do ngrihen dhe do largohen dhe të gjithë banorët do të spostohen në hotele”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “janë dy kategori, njëra e atyre që janë përqendruar në këto zonat e prekura rëndë urbane dhe tjetra e atyre që janë në zonat rurale”.

“P.sh. në Bubq, ku ka një numër të konsiderueshëm, e kanë të lidhur jetën e përditshme me gjënë e gjallë, me punën në blegtori dhe kanë një arsye për ta refuzuar largimin. Ata kërkojnë të kenë një çadër pranë shtëpisë në oborrin, pronën, truallin e tyre dhe për këtë dua që Ministria e Mbrojtjes të marri masat që të garantojmë një tjetër kategori dhe cilësi çadrash. Kjo sigurisht duhet bërë në bashkëpunim të ngushtë me gjithë partnerët për të siguruar që periudha e dimrit të jetë sa më e lehtë”, tha Rama.

Sipas tij, “në Berat, janë akomoduar 250 persona”.

Ndërsa personat që janë pa shtëpi dhe pa strehim në qarkun e Tiranës, sipas tij, “janë 3480, nga këta janë 1 mijë persona të akomoduar në 5 qendra pritëse, të tjerët në çadra dhe te të afërmit”.

Kryeministri tha po ashtu se “në Elbasan janë strehuar 209 persona”.

Ndaje me miqte