0030 210 33 18 483

Tërmeti në Korçë, 4 të plagosur, 184 banesa të dëmtuara

TV TRIBUNA 01 Qershor 2019

Lëkundjet e forta të tërmetit me magnitudë mbi 5 ballë të shkallës Rihter që u regjistruan mëngjesin e së shtunës 1 qershor, në fshatin Mollas të Korçës dhe disa zonave përreth, kanë shkaktuar dëmtimin e më shumë se 180 shtëpive.

Epiqendra e lëkundjeve ka qenë fshati Floq i bashkisë Korçë. Banesat e dëmtuara kanë pësuar çarje muresh, shembje çatie dhe shembje suvash.

Ministria e Mbrojtjes njofton se:

Në fshatin Floq dhe Dvoran janë 70 banesa, 50 prej të cilave rezultojnë banesa të vjetra dhe të pabanuara prej shumë vitesh.

Në fshatin Qafëzezë janë të dëmtuara nga tërmeti 10 banesa.

Në fshatin Vidohovë kanë pësuar çarje të mureve 20 banesa të vjetra.

Komisionet e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve janë në terren dhe po evidentojnë çdo dëm të shkaktuar.

Në Spitalin Rajonal Korçë, janë paraqitur 4 shtetas me lëndime të lehta si pasojë e shembjes së mureve të disa banesave. Spitali Rajonal Korçë është në gatishmëri me autoambulanca, staf mjekësor dhe me kapacitet 300 shtretër për përballimin e çdo situate.

Ndërkohë që 4 banorë të zonës të dëmtuar lehtë, kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit.

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako nga qarku i Korçës ku ndodhet pas tërmeteve që u regjistruan të shtunën, theksoi se situata është nën kontroll edhe pas lëkundjeve të tjera që janë ndjerë gjatë ditës së sotme.

Çako bëri me dije se Emergjencat Civile janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti.

“Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara në Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Janë marrë masat për sistemimin e banorëve, janë furnizuar me ushqime, ujë, medikamente dhe nevojat jetike. FA-të janë në mbështetje të tyre, por edhe strukturat e tjera. Floqi, Qafëzeza dhe Vidova janë fshatrat më të prekur” tha Çako.

Emergjencat Civile njoftojnë se 230 banorë në Korçë, pjesë më e madhe në fshatin Floq e kanë kaluar natën jashtë në çadrat që u ngritën nga Forcat e Armatosura pas tërmetit që u regjistrua dje. Banorëve u është siguruar ushqimi, uji i pijshëm, krevate dhe batanije.

Përpos ditës së djeshme ku u regjistruan mbi 20 lëkundje pas tërmetit 5.3 ballë edhe sot kanë vijuar. Prej orës 00:35 minuta deri në 06:37 të mëngjesit të sotëm janë regjistruar 10 lëkundje me magnitudë deri në 3.5 ballë duke shkaktuar frikë dhe panik te banorët e juglindjes së vendit.

Ndaje me miqte