0030 210 33 18 483

Tërmeti, Rama dhe ministri i jashtëm grek në Durrës

TV Tribuna 26 Nentor 2019

Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias është i pari zyrtar i huaj që viziton Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar të ditës së sotme.

Dendias mbërriti në aeroportin e Rinasit menjëherë pas përfundimit të vizitës zyrtare në Shkup.

Stacion i parë i ministrit të jashtëm grek në Shqipëri ishte Durrësi, me qëllim që të shprehë në vend mbështetjen dhe solidaritetin e Greqisë ndaj popullit shqiptar në këto momente të rënda që po kalon.

Në Durrës, bashkë me kryeministrin Edi Rama, Dendias ndoqi përpjekjet e ekipit të shpëtimit (EKAM) të ardhur nga Greqia, për gjetjen dhe nxjerrjen e njerëzve që eventualisht ishin ngujuar nën rrënojat.

Më pas Dendias e Rama vizituan të plagosurit në stadiumin e Durrësit që është shndërruar në spital fushor.

Siç raporton agjencia ANA-MPA, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen ndaj Greqisë për asistencën e menjëhershme që ofroi.

Ministri i jashtëm, grek bëri një deklaratë të shkurtër për shtyp:

“Ndodhem këtu me porosi të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis bashkë me dy skuadra të EKAM për të ndihmuar sa të mundim popullin mik shqiptar. E kemi kaluar dhe ne, e dimë, do të bëjmë ç’është e mundur për të ndihmuar. Jemi në krah të popullit shqiptar, qeverisë së tij, për të ofruar gjithçka që mundim”.

Ndaje me miqte