0030 210 33 18 483

Të rroftë nënshtetësia, se mbete fare pa letra

TV TRIBUNA 19 Prill 2019

Mijëra qytetarë që kanë marrë nënshtetësinë greke, nuk kanë mundësi të regjistrohen në regjistrat e bashkisë (mitroa arenon), dhe rrjedhimisht nuk po pajisen dot me letërnjoftim dhe pasaportë greke.

Denoncimi vjen nga kandidati për deputet Fatos Malaj.

Bëhet fjalë për një kategori njerëzish që po përballen me një problem shumë të madh pasi tashmë janë pa asnjë dokument të ligjshëm identifikimi. Dhe kjo për arsye se që nga momenti që morën nënshtetësinë greke, leja e qëndrimit që kishin si shtetas të huaj, është anuluar...

“Merret vesh fare kollaj që këta njerëz tashmë nuk mund të punojnë ligjërisht, nuk mund të udhëtojnë jashtë Greqisë, të votojnë – meqë po afrohen dhe zgjedhjet-, nuk mund të kryejnë asnjë nga veprimet në zyrat e shtetit...”, shkruan Malaj.

Sipas tij, kjo situatë absurde është shkaktuar nga vendimi i ministrisë së brendshme që të heqë nga periferitë zyrat e nënshtetësisë dhe t’i kalojë nën juridiksionin e ministrisë.

“Përtej faktit se intervistat janë pezulluar për katër muaj; përtej faktit se aplikimet e brezit të dytë shqyrtohen tashmë pas një periudhe 2,5 vjeçare, vendimi i ministrisë arriti të bllokojë edhe ata që i mbijetuan sprovës dhe arritën deri në fund të maratonës”, shkruan më tej Fatos Malaj.

“Nuk janë qytetarë grekë, nuk janë shtetas të huaj... Atëherë çfarë janë?”, pyet me ironi kandidati për deputet.

Ndaje me miqte