Takim Rama - Tsipras? Athina zyrtare: "Nuk është caktuar as vendi, as koha"?
Robert Goro
04 Dhjetor 2018
Pavarësisht dëshirës së mirë të të dy palëve, një takim Rama – Tsipras nuk ndodhet në axhendën emergjente të Athinës. Të paktën jo kaq shpejt sa ç’linte të kuptohej kryeministri Edi Rama në deklaratën për agjencinë greke ANA-MPA.
Në kancelaritë diplomatike greke nuk ka ende një datë për takimin e dy kryeministrave.
Këtë e pohoi ministri alternat i punëve të jashtme, Jorgos Katrougalos, gjatë një takimi me gazetarë grekë e të huaj, pa praninë e kamerave.
Nisur nga deklarata e kryeministrit Rama, se takimi do të zhvillohet “së shpejti”, TV Tribuna e pyeti zotin Katrougalos nëse kjo nënkuptonte një zhbllokim të negociatave, pas ngërçit të muajve të fundit.
“Ekziston vullneti i përbashkët i të dy palëve që të avancojnë këto çështje. Mirëpo nuk është caktuar as vendi dhe as koha për takimin e dy kryeministrave. Dhe besoj se është e parakohshme në këto momente që të themi nëse ai takim do të finalizojë apo përshpejtojë negociatat”, ishte përgjigjja e ministrit alternat grek.
Duket se pala greke ka një kusht të ri, apo më saktë, një pritshmëri të re, para se të rifillojë negociatat me palën shqiptare.
“Ne presim nga pala shqiptare që të vejë në zbatim aktet ekzekutive të ligjit për minoritetet. Kjo është dhe një kërkesë e Bashkimit Europian”, tha më tej Katrougalos.
“Negociatat kishin arritur shumë afër finalizimit derisa u largua nga posti i ministrit të jashtëm Nikos Kotzias. Pastaj kishim për fat të keq incidentin e trishtuar me Kacifasin”, shtoi ministri alternat grek i punëve të jashtme.
Në kushtet që postin e ministrit të jashtëm tashmë e ka marrë kryeministri Tsipras, Katrougalos është faktikisht “violina e parë” në ministrinë e jashtme greke.
Ai bëri të ditur se të martën do të takohet me ministrin e jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në kuadër të ministeralit të NATO-s.
I pyetur nga TV Tribuna nëse ky do të jetë thjesht një takim protokollar apo do të jetë më esencial, Katrougalos u përgjigj:
“Nuk ka takime protokollare. Do t’i diskutojmë të gjitha këto çështje. E kisha ftuar zotin Bushati në takimin katër palësh të Selanikut, para disa ditëve. Mirëpo nuk erdhi. Rrjedhimisht do të diskutojmë edhe për çështjet që u shtruan në Selanik”.