0030 210 33 18 483

Takimi Mitsotakis - Rama dhe lajmi i mirë për shqiptarët në Greqi

TV TRIBUNA 29 Tetor 2019

Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Rama janë takuar në Athinë për gati 60 minuta.

Në tryezën e bisedimeve, përveç dy kryeministrave ndodheshin edhe ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias dhe, nga pala shqiptare, ministrja e infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku.

Burime nga të dy palët thanë për TV Tribuna se takimi u zhvillua në një klimë shumë pozitive.

Përndryshe, në përfundim të takimit, Mitsotakis e ka shoqëruar deri jashtë Edi Ramën dhe kanë qëndruar për pesë minuta duke biseduar kokë më kokë. Fjala e fundit që Mitsotakis i tha Ramës ishte “Thank you very much – faleminderit shumë”.

Në përfundim të takimit u publikua (me shumë vonesë dhe njëkohësisht, në Tiranë dhe Athinë), një deklaratë e përbashkët.

“Në takimin e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u diskutuan gjithë çështjet dypalëshe. Kryeministri shqiptar theksoi qe pavarësisht zhgënjimit të vendit të tij nga vendimi i Këshillit Europian për mos hapjen e negociatave të anëtarësimit, Shqipëria do të vazhdojë në kahun e realizimit të reformave me të njëjtën vendosmëri. Dhe kjo sepse është në dobi të vetë Shqipërisë përmirësimi i marrëdhënieve me Greqinë, trajtimi i gjithë çështjeve dypalëshe dhe forcimi i bashkëpunimit bilateral.

Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përderisa këto vende përmbushin kriteret e anëtarësimit. Gjithashtu, përshëndeti angazhimin e palës shqiptare për të avancuar punën në çështjet e pronave dhe të vetëpërcaktimit / censusit që përbëjnë çështje me rëndësi kolosale për minoritetin etnik grek në Shqipëri.

Më tej, kryeministri grek vuri në dukje se marrëveshja dypalëshe për lejet e drejtimit do të paraqitet së shpejti në parlamentin grek për ratifikim.

Kyriakos Mitsotakis pranoi ftesën e drejtuar nga kryeministri shqiptar për të vizituar Shqipërinë në muajt e ardhshëm”, përfundon deklarata e përbashkët.

 

Më në fund, patentat shqiptare do të njihen në Greqi

Lajmi i mirë për shqiptarët e Greqisë është, siç do ta keni kuptuar, se marrëveshja për njohjen e patentave do të kalojë së shpejti për miratim nga parlamenti grek dhe të hyjë më në fund në fuqi, një vit e gjysmë pas nënshkrimit.

TV Tribuna mendon se ka dhënë kontributin e vet në këtë arritje, duke e ngritur vazhdimisht si problem që penalizonte dhjetra e dhjetra bashkatdhetarë në Greqi. Madje dhe disa orë para takimit Mitsotakis Rama, drejtori i TV Tribuna, Robert Goro, e solli përsëri në vëmendje këtë çështje, duke theksuar se mund të ishte një nga rezultatet e prekshme të takimit. Dhe faktikisht kështu ndodhi...

Tashmë, pas pohimit nga kryeministri grek, të përfshirë dhe në deklaratën e përbashkët, duket se miratimi nga parlamenti i marrëveshjes së patentave do të jetë çështje ditësh, ose e shumta, pak javësh... Më në fund!...

 

VINI RE: Më shumë detaje dhe kronika të zgjeruara nga vizita e kryeministrit Rama në Athinë, në emisionin “60 minuta” në TV Tribuna, të mërkurën 30 tetor, ora 19,00.

Ndaje me miqte