0030 210 33 18 483

Dridhet Greqia gjatë natës – Tërmet 6.1 ballë në zonën mes Kretës dhe Karpathos

Tribuna News 14 Maj 2025

Një tërmet i fortë me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter është regjistruar rreth orës 01:50 të mëngjesit të së mërkurës në zonën detare midis ishujve Kretë, Kasos dhe Karpathos, duke shkaktuar shqetësim të ndjeshëm në mesin e banorëve.

 

Lëkundjet janë ndier në mënyrë të theksuar në pjesën lindore të Kretës dhe në ishujt e Egjeut Jugor, edhe pse epiqendra e tërmetit ndodhej në një thellësi prej 60 kilometrash. Dridhjet u raportuan gjithashtu në disa pjesë të Atikës si dhe përgjatë bregdetit perëndimor të Turqisë.

 

Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme materiale. Ekspertët sizmologë theksojnë se, pavarësisht intensitetit, tërmeti nuk pritet të pasohet nga të tjera lëkundje të forta.

 

Autoritetet kanë dërguar një mesazh paralajmërues për cunami përmes numrit emergjent 112, duke u kërkuar banorëve që të shmangin qëndrimin pranë vijës bregdetare.

 

Kreu i Organizatës për Planifikimin Antisizmik (OASP), Efthymios Lekkas, deklaroi se lëkundja ndodhi mbi harkun tektonik grek, pikërisht në zonën ku takohen pllakat tektonike evropiane dhe afrikane. Ai shtoi se ky tërmet nuk ka lidhje me aktivitetin sizmik të Santorinit apo tërmetin e fundit në Turqi.

 

Sipas raportimeve, në qytetin e Iraklios tërmeti është ndier në tri valë të njëpasnjëshme, me intensitet të ndryshëm dhe një kohëzgjatje prej rreth 15 sekondash.

 

 

Ndaje me miqte