0030 210 33 18 483

Testi Covid në kufi, kujt nuk i lejohet hyrja në Greqi

TV Tribuna 05 Dhjetor 2020

Qeveria greke ka vendosur të ndalojë hyrjen në territorin e Greqisë të personave që do të rezultojnë pozitivë ndaj testit për Covid -19.

Masa do të fillojë të zbatohet që nga e hëna, 7 dhjetor.

Deri më tani, kush e kishte testin pozitiv lejohej të shkonte në destinacion, ku do të duhej të qëndronte në karantinë.

Zëvendësministri i mbrojtjes civile dhe menaxhimit të krizave, Nikos Hardalias, e ka argumentuar këtë masë të re me analizën cilësore të rasteve që janë evidentuar.

"Në të njëjtën kohë dhe duke marrë parasysh, sa të dhënat epidemiologjike, aq edhe elementët që rezultojnë nga analiza cilësore e rasteve në gjurmim, qeveria aktivizon dhe dy masa të tjera, me objektiv kufizimin e pandemisë.

Së pari, kush rezulton pozitiv gjatë kontrolleve që bëhen në kufijtë tokësorë të vendit, nuk do t’i lejohet hyrja në Greqi për arsye të mbrojtjes së shëndetit publik.

Dhe së dyti, nuk lejohen më vizita në Malin e Shenjtë për cilindo që nuk ka banim të përhershëm në manastiret e atjeshme.

Të dy këto masa hyjnë në fuqi nga e hëna 7 dhjetor, në ora 06,00".

Gjatë informimit mbi ecurinë e pandemisë, u tha se 24 orët e fundit në Greqi u evidentuan 1.667 raste të reja me koronavirus.

Vana Papaevangelou, komisioni i ekspertëve: 

"Sipas të dhënave të EODY u evidentuan 1.667 raste të reja me koronavirus në vendin tonë 24 orët e fundit.

Numri i përgjithshëm i pacientëve që po kurohen të intubuar është 621, ndërsa 98 bashkëqytetarët tanë humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit.

Të shikojmë dhe shpërndarjen e diagnozave.

Në Atikë kemi 316 raste, në Selanik 367, në Pieria 93 dhe në Imathia 79.

Tashmë është edhe më e qartë se kurba e infeksioneve të reja në vendin tonë po bie thuajse në gjithë territorin.

Vërehet rënie e vazhdueshme e mesatares së rasteve që përllogariten në 1.750 në ditë.

Këtë javën e tretë të lokdaunit, ulja e numrit të rasteve ishte më e madhe në raport me dy javët e mëparshme.

Në disa njësi rajonale siç janë Pieria, Ftiotida dhe Etoloakarnania, nuk kemi parë ende një ulje të qartë të rasteve.

Ngarkesa epidemiologjike mbetet e madhe, sidomos në Greqinë e Veriut dhe në shumë prej qyteteve të mëdhenj.

Përllogaritet se sot kemi më shumë se 18.000 raste aktive".

Sipas autoriteteve, janë gjashtë zonat që përbëjnë shqetësimin më të madh dhe ku ngarkesa epidemiologjike nuk u reduktua javën e fundit, në raport me mjaft zona të tjera ku pati rënia të rasteve të evidentuara.

Këto zona janë: PIERIA 587 RASTE

PELLA 548

IMATHIA 486

DRAMA 454

KSANTHI 376

FOLLORINA 172.

Ndaje me miqte