Thaçi: Demarkacioni i kufirit na siguron njohjen nga Serbia
ATSH
17 Shtator 2018
TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me anë të një shkrimi të gjatë në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës argumenton idenë e tij të korrigjimit të kufijve me Serbinë, duke u dhënë përgjigje të gjitha akuzave që sipas tij, nuk kanë qenë kundër-argumente racionale ndaj propozimit por vetëm zhurmë.
“Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë. Kam pritur kundërargumente racionale, por deri më sot kam dëgjuar më tepër zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje. Kosova është vend shumë i vogël për të prodhuar kaq urrejtje, e cila e ndan shoqërinë tonë”, thekson presidenti Thaçi.
Të gjithë ne e dimë fare mirë, thotë ai, se stabiliteti afatgjatë i shtetit të Kosovës është pashmangshëm i lidhur me anëtarësimin e Kosovës si shtet në OKB, në Paktin NATO dhe në BE.
Në këtë mënyrë, Kosova do të jetë përjetë e mot shtet i qëndrueshëm, anëtare e familjes së kombeve paqedashëse në OKB, anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, si dhe në fund edhe anëtare e Bashkimit Evropian.
“Nuk mund t’i arrijmë këto qëllime, nuk mund ta vulosëm njëherë e përgjithmonë fatin e Kosovës si shtet, nëse në muajt e ardhshëm nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Serbinë”, thotë presidenti.
“Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis. Ju mund të thoni përsëri se Kosova tashmë i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme. Unë përsëri pajtohem me ju. Por, realiteti është edhe më kokëfortë se argumentet tona. Njohja nga Serbia është bërë pengesa primare për rrugëtimin tonë euroatlantik. Dikush mund të thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte dhe brenda këtyre kufijve. Edhe unë dua të njëjtën gjë. Por, a mendoni se ne do ta bindim Serbinë ta bëjë një gjë të tillë së shpejti? Fatkeqësisht, jo. Po BE-ja dhe aleatët tanë të fuqishëm: SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Italia e shumë të tjerë, a mendoni se do ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën? Përsëri, jo. Nuk kanë mundur ta bindin të bëjë një gjë të tillë deri më sot dhe nuk mund të garantojnë se do ta bëjnë nesër apo në të ardhmen e afërt. Si rezultat, përgjegjësia mbetet tek ne.
“Për ta arritur këtë qëllim, unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë”, thotë Thaçi.
“Kosova tani është shtet i pavarur dhe ne jemi në fazën përfundimtare të shtetndërtimit. Po e përsëris: korrigjimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, të cilat do ta njohin njëra-tjetrën si shtete, do të jetë pjesë përbërëse e demarkacionit të kufirit të gjatë 430 kilometra”, thotë Thaçi.
Dyshuesit në marrëveshjen ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, me lehtësi po përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Po krijojnë panik dhe mjegull, duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë.
“Kam konsideratë të lartë për të gjithë ata që në mënyrë racionale janë të përfshirë në këtë debat, por atyre që prodhojnë vetëm zhurmë dhe panik, me keqardhje u them se janë të gabuar”, thotë ai.
“Koha e luftërave dhe konflikteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për bindjen time, ka kaluar. Por, fundi i kësaj epoke do të konstatohet vetëm kur ta bëjmë marrëveshjen përfundimtare paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, përfundon Thaçi.
Ndaje me miqte