0030 210 33 18 483

Tiranë, grabiten 10 milionë euro në aeroport

Zëri i Amerikës 09 Prill 2019

Në Shqipëri një sasi e madhe parash, afro 10 milionë euro, dyshohet të jenë grabitur pasditen e sotme në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithshka ka ndodhur brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet me tre persona në bord, ka thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe i është afruar me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave. Ata kanë hipur në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Grabitësit mësohet se kanë përdorur maska silikoni, duke bërë të pamundur identifikimin e fytyrave të tyre, ndërsa kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake, dhe të armatosur me kallashnikovë, pistoleta dhe granata dore. Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve ka mbetur i vrarë me një plumb në kokë. Të tjerët kanë mundur të largohen. Automjeti me të cilin është kryer grabitja është gjetur jo larg, ndërsa më pas policia ka gjetur një mjet tjetër, të cilit i ishte vënë zjarri,me të cilin duket se grabitësit kanë kryer një pjesë tjetër rruge.

Ndërsa njësi të shumta janë vënë në ndjekje të grabitësve, mësohet se janë lëshuar 4 urdhëra ndalimi ndërsa 40 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.

Grabitja e së martës ringre dhe një herë pikëpyetjet mbi sigurinë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit, ashtu sikundër ndodhi dhe tre vjet më parë kur u krye po ashtu një grabitje në pistën e avionëve. Këtë shqetësim e ka ngritur dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e cila fajëson kompaninë kineze e cila ka në administrim aeroportin. “Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t'i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet. Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq”, Sipas ministres “ky është një alarm, që këtë herë s'duhet të kalojë dhe s'do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA-as për sigurinë. Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë. Fakti që aeroporti njësoj si të gjithë aeroportet në Evropë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak. Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit", përfundon postimi në Facebook i ministres Balluku.

Ndaje me miqte