0030 210 33 18 483

Tiranë, nis me tensione protesta e opozitës

Zëri i Amerikës 28 Mars 2019

Ka nisur me tensione protesta e sotme e opozitës para parlamentit, ku si zakonisht qindra forca policia kishin rrethuar të gjithë zonën dhe hyrjen e rrugëve që të cojnë drejt godinës, ku në sallë po zhvillohej seanca e përjavshme.

Fillimisht një grup manifestuesish, kryesisht banorë të zonës së Astirit të cilët prej nëntorit protestojnë kundër projektit të zgjerimit të Unazës së qytetit, u përpoqën disa herë të çanin kordonin e ngritur nga policia në hyrje të pedonales, mes Ministrisë së Brendshme dhe Galerisë së Arteve.

E njëjta situatë u përsërit disa herë dhe në hyrjen kryesore të parlamentit, ku mes protestuesve janë dhe udhëheqësit kryesorë të opozitës. Përpjekjet e herë pas herëshme të një grupi manifestuesish për të hapur rrugën drejt godinës, u sprapsën nga policia. Shashka dhe tymuese të shumta janë lëshuar nga manifestuesit, ndërsa fjalime të shkurtra po mbahen nga përfaqësuesit e opozitës, ish deputetë të saj të cilët që prej muajit shkurt kanë braktisur parlamentin dukë dorëzuar mandatet e tyre.

Kërkesa e opozitës, mbetet e pandryshueshme: largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie të përkohshme që të përgatisë zgjedhje të parakohshme.

Ndaje me miqte