0030 210 33 18 483

Tirana dëbon dy diplomatë iranianë si të padëshiruar. Reagojnë zyrtarë të lartë të SHBA

Zëri i Amerikës 20 Dhjetor 2018

Shqipëria shpalli persona të padëshiruar dy diplomatë të ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete, që cënojnë sigurinë e vendit.

Lajmin e konfirmoi Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Ky vendimi u mor në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.

Këshilltari për sigurinë i presidentit të SHBA-ve, John Bolton, reagoi në Twiter për ngjarjen:

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke u treguar udhëheqësve të Iranit që mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne jemi përkrah zotit Rama dhe popullit shqiptar teksa ata kundërshtojnë sjelljen e padëshiruar të Iranit në Europë dhe në gjithë botën” - shënoi zoti Bolton.

Shpallja persona non grata e diplomatëve iranianë mendohet se ka të bëjë me shkeljen e statusit të diplomatit dhe me veprimtari të dyshimta si pjesë e ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm.

Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e vuri theksin në Twiterin e tij tek sanksionet ndaj Iranit.

“Përgëzoj dëbimin nga kryeministri Rama të dy agjentëve iranianë, që planifikuan sulme terroriste në Shqipëri. Vendet europiane kanë parandaluar tre komplote iraniane të planifikuara vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar për sanksionet ndaj regjimit të Iranit, deri sa ai të ndryshojë veprimtarinë shkatërrimtare” - shkroi sekretari Pompeo.

Ndaje me miqte