0030 210 33 18 483

Tirana e Nonës së Fevziut dhe Porto Palermo e gjyshërve të himariotëve!

Nikollaq NERANXI 11 Nentor 2019

Biznesmeni Nikollaq Neranxi e ka ngritur sërish zërin e vet qytetar. Kësaj here për çështjen e pronave në Himarë.

Si banor autokton i atij qyteti dhe krahine me histori të madhe dhe bukuri të rrallë, Neranxi hedh poshtë me argumente deklaratat e drejtorit të përgjithshëm të kadastrës Artan Lame në emisionin Opinion, se në zonën e Porto Palermos nuk ka prona private dhe se ato kanë qenë gjithmonë shtetërore. Deklarata që u mbështetën edhe nga drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu.

Në prononcimin e tij publik, Neranxi u kundërvë deklaratave të Lames, të vërtetën historike, se në ato zonë tokat kanë pronarët e tyre prej shekujsh, dhe emrat e pronarëve, i din edhe sot, kushdo në Himarë e Qeparo.

Me shumë të drejtë Neranxi argumenton se “historia e Himarës nuk fillon me instalimin e regjimit komunist në Shqipëri”, regjim që në fund të viteve 1960 vendosi ndërtimin e bazës ushtarake detare në Porto Palermo, duke shtetëzuar tokat që në atë kohë i përkisnin kooperativës, pasi ishte kryer kolektivizimi – pra pasi i pronarët ia kishin dorëzuar kooperativës.

Sqarojmë se Nikollaq Neranxi i ka marrë prej kohësh pronat e veta në Himarë dhe çdo pozicionin i tij publik për çështjen e tokave bëhet vetëm në përkrahje të bashkëqytetarëve -jo vetëm në Himarë- por në gjithë Shqipërinë të cilët, gati 30 vjet pas përmbysjes së komunizmit, vazhdojnë të mbeten peng i sistemeve të korruptuara shtetërore; peng i atyre që siç thoshte poeti Ali Asllani, “të pabrekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka”...

Robert Goro

 

 

Vijon i plotë i gjithë komenti i Nikollaq Neranxit:

Tirana e Nonës së Fevziut dhe Porto Palermo e gjyshërve të himariotëve!

Pak ditë më pare, Blendi Fevziu kishte ftuar në emision, Artan Lamen, Drejtor i Përgjithshëm i Kadastrës, ai që për vite me radhë, si drejtor i ALUIZNI-t, i rezervoi Ramës një “One men Show“ të neveritshëm, teksa ndante para kamerave, çertifikata pronësie edhe tek ata që kishin ndërtuar në toka të zaptuara. Por kur vinte puna për të folur për grabitjet e pronave të trashëguara në Bregdet, Lame nuk kishte asgjë për të thënë! Flisnin vetëm mediat proqeveritare duke thënë që ca gardhe dhe ca lavazhe po prishen, se në fakt këta rilindasit janë fenomenalë, vetëm kur nxjerrin armët dhe vrasin njeri tjetrin për prona, pranojnë që ka një problem.

Pra nga Lamja nuk prisja asgjë, as këtë herë! Por prisja pyetjet që do ta gozhdonin Lamen. Dhe ato duhej t’i bënte Fevziu! Por si për çudi, para një harte të Porto Palermos, Fevziu vendosi të komentojë, jo të pyesë! Si fillim, drejtuesi i “Opinion” tha që është e pamundur të ketë prona private në atë zonë, sepse ajo ka qenë zonë ushtarake. Më pas tregoi shqetësimin e tij se si pronarët do të bënin aty vilat e tyre në ato toka, ndërkohë që duheshin bëre resorte! Prandaj e shoh të udhës që t’i shpjegoj nja dy gjëra, si banor autokton i Himarës!

Si fillim duhet thënë se historia e Himarës nuk fillon me vendosjen e regjimit të Hoxhës, pra meqë Porto Palermo ka qenë zonë ushtarake, atëherë na qenka shtetërore! Kjo nuk është e vërtetë! Në atë zonë nuk ka prona shtetërore, as në shkëmb dhe as në fushë.

Në shekuj banoret që kanë jetuar aty, kanë pasur kullotat e tyre, vreshtat e tyre dhe diheshin të kujt janë dhe askush nuk futej tek prona e tjetrit! Nuk e di se kush ka marrë prona aty, por di që pyetja duhej shtruar, se kush janë ata pronarë? Nëse janë të zonës, patjetër që iu takon, madje i duhej kërkuar llogari Lames pse nuk iu kanë dhënë akoma çertifikatat e pronësisë për ato toka, ndërkohë që kanë legalizuar shtëpi edhe në Bathore! Por nëse në ato toka, figuron pronar dikush që ka ardhur nga Laçi apo Burreli p.sh., dhe ka grabitur ose ka dhënë ndonjë lek tek ndonjë pushtetar, ai duhet larguar që aty sepse nuk i takon. Asnjë himariot nuk shkon në Laç ose në Burrel të grabisë toka. Dhe pasi të bëhet ky pastrim, le të vijë investitori dhe t’ia blejë pronarëve tokën!

Pra, që të jenë të gjithë të qartë, nuk ka toka shtetërore në atë zonë!

Ose, e thënë ndryshe, siç e ka Fevziu Tiranën e Nonës (titulli i librit) dhe kur kemi ardhur ne Tiranë për të jetuar, tokën e kemi blerë, edhe ne himariotët, e kemi token e Himarës, të trashëguar nga të parët tanë, pra është e jona! U kuptuam besoj!...

Ndaje me miqte