Tmerri vazhdon: Familjarët e shqiptarëve të vdekur në Hungari nuk mund të tërheqin trupat
Tribuna News
08 Janar 2024
Familjarët e dy të rinjve nga Kosova që humbën jetën në një aksident tragjik në Hungari vazhdojnë të ndjehen të pikëlluar.
Për shkak të procedurave të shtetit hungarez, ata nuk kanë arritur ende të tërheqin trupat e viktimave dhe kjo situatë i ka shqetësuar shumë. Kastriot Hoxha, një afërm i Kushtrim Hoxhës, ka dalë në publik për të njoftuar mbi vështirësitë që familjarët po përballen për t'i dërguar trupat e tyre në Kosovë për varrimin e duhur. Ai ka shprehur falënderime për mbështetjen dhe prekjen e të gjithë atyre që i kanë treguar solidaritet në këtë çast të vështirë.
Aksidenti i rëndë ndodhi kur automjeti ku ata po udhëtonin u përplas me një kamion dhe u përfshi nga flakët. Kushtrimi, 28-vjeç, humbi jetën në rrugën drejt spitalit, ndërsa Jetmir Rexhepi, 30 vjeç, u dogj bashkë me dokumentet e tij. Të dy të rinjtë, të cilët ishin nga Prizreni dhe Celina e Rahovecit, ishin në rrugë për në Kosovë pasi kishin qenë në Gjermani.
Rrethanat e ngjarjes së trishtë ende nuk janë zbardhur plotësisht dhe investigimi vazhdon nga autoritetet kompetente. Familjarët shpresojnë që të marrin përkrahje dhe ndihmë për të tejkaluar këtë dhimbje të thellë dhe për të siguruar një varrim të denjë për të ndjerët e tyre.
Ndaje me miqte