Trump-Biden, garë e fortë zgjedhore
Zëri i Amerikës
04 Nentor 2020
Presidenti i SHBA Donald Trump dhe sfiduesi demokrat Joe Biden janë në një garë të ashpër për të fituar një mandat katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë, por rezultati i zgjedhjeve duket se do të varet nga garat në disa shtete të lëkundura të ashtuquajtura “shtete fushëbetejë”.
"Ruani besimin, ne do ta fitojmë," u tha zoti Biden mbështetësve të tij të entuziazmuar pranë shtëpisë së tij në Uilmington të shtetit Delauer, ndërsa u binin borive të makinave.
Por ndërkohë që numërimi i votave vazhdonte në disa shtete kryesore ku ai ishte pas Presidentit Trump, zoti Biden paralajmëroi, "Do të na duhet të jemi të duruar."
Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump shkroi në Twitter, "Ne jemi mjaft përpara, por ata po përpiqen të Vjedhin Zgjedhjet".
Twitter i shtoi një shënim postimit si informacion që është "i diskutueshëm dhe që mund të jetë mashtrues".
Nuk ka patur njoftime që votimi të ketë vazhduar pas mbylljes së qendrave të votimit, siç ishte planifikuar, por numërimi i votave vazhdoi në orët e para të së mërkurës.
Zhvillimet e fundit
* Siç edhe pritej, demokratët me gjasë do të ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërkaq kontrolli i Senatit nga republikanët është i pasigurt, pasi rezultati i disa garave për Senatin në të gjithë vendin nuk është shpallur ende.
* Senatori Republikan Mitch McConnell nga Kentaki, udhëheqës i shumicës në Senat, fitoi mandatin e shtatë gjashtë-vjeçar, duke mundur ish-piloten e marinsave Amy McGrath.
* Sipas një sondazhi të organizatës Edison Research, Presidenti Trump ka përmirësuar pozitat e tij në mesin e çdo race dhe gjinie përveç meshkujve të bardhë, krahasuar me vitin 2016 kur ai mundi demokraten Hillary Clinton. Ndërsa humbi 5 përqind mes meshkujve të bardhë, ai u ngrit 2 për qind më lart mes grave të bardha, katër për qind mes meshkujve dhe femrave afrikano-amerikane dhe nga 3 për qind mes meshkujve dhe grave hispanike.
* FBI tha se po heton raportet për telefonatat me robo-call që njerëzit të mos votonin në disa shtete. Por nuk pati shenja të një konflikti në shkallë të gjerë në qendrat e votimit siç druanin disa.
* Sekretari i Sigurisë së Brendshme në detyrë, Chad Wolf u tha gazetarëve të martën se nuk kishte "asnjë shenjë" se ndonjë "aktor i huaj" ka ndërhyrë me sukses në zgjedhje.
ZGJEDHJET, TË QETA NË MBARË VENDIN
Miliona amerikanë pritën me durim në radhë të martën për të hedhur votat në biblioteka, shkolla, pallate sporti në kushtet e një pandemie vdekjeprurëse. Pjesëmarrja pasqyronte një demonstrim të rregullt të detyrës civile që dallonte qartë nga tensionet e thella që karakterizuan fushatën e ndezur zgjedhore.
Shumë votues qëndruan në rradhë me maska mbi fytyrë, ndërkohë që në shumë qytete bizneset e dyqanet kishin mbuluar dritaret me kompensata, kujtesë e dy problemeve madhore në këtë periudhë zgjedhjesh: pandemia e COVID-it dhe protestat, në shumë raste të dhunshme nga demonstrues kundër praktikave policore dhe racizmit.
FBI-ja dhe zyra e prokurorit të përgjithshëm të Nju Jorkut hapën hetime lidhur me një numër telefonatash automatike që u bënin thirrje njerëzve të mos dilnin për të votuar.
Ndërkaq, një gjykatës federal urdhëroi Shërbimin Postar Amerikan të kontrollonte magazinat në të gjithë vendin për të parë nëse ka fletë-votime të pa postuara dhe t’i dërgojnë menjëherë në zyrat zgjedhore për numërim.
Grupe për të drejtat civile dhe agjenci të rendit ishin në gjendje gatishmërie, nën shqetësimet për kërcënime, apo frikësim të votuesve, por deri në orët e vona të pasdites ka pasur fare pak raportime për probleme.
Një incident shqetësues u regjistrua në shtetin e lëkundur të Karolinës së Veriut ku një person me armë zjarri që e mbante dukshëm, u arrestua dhe u akuzua se kishte shkelur perimetrin rrethues të një qendre votimi.
Policia thotë se 36-vjeçari Justin Dunn kishte qëndruar në perimetrin e qendrës së votimit, pasi kishte hedhur votën “ndoshta për të frikësuar votuesit e tjerë”. Një zyrtar i zonës i tha të largohej, por ai u kthye pas dy orësh, kur u arrestua nga autoritetet.
Në qytetin e Nju Jorkut, në disa qendra votimi njerëzit pritën në radhë që vazhdonin përreth bllokut. Por në qytete të tjera si Los Anxhelos dhe Detroit radhët ishin shumë të shkurtra. Punonjësit në qendrat e votimit mendojnë se kjo është rezultat i pjesëmarrjes së lartë në votimet e hershme. Rreth 100 milionë amerikanë kishin votuar para ditës së zgjedhjeve, duke shënuar një nivel rekord pjesëmarrjeje në votimet e hershme.
Në Atlanta, rreth dhjetë votues kishin zënë radhë që pa dalë dielli. Ginnie House, e cila dridhej nga të ftohtit, ishte e para në radhë.
"Më humbi fletë-votimi që kisha marrë për ta dërguar me postë para datës,” thotë kjo 22 vjeçare, e cila kishte ardhur me avion nga Nju Jorkut, për të votuar në qytetin ku është e regjistruar si votuese.
Ajo tha se do të votonte për kandidatin demokrat Joe Biden.
Në një qendër votimi në Hjuston të Teksasit, Andy Valadez luante një instrument frymor duke pritur në radhë. Ai thoshte se muzika ishte një ritual për t’i uruar fitore Presidentit Trump.
“Po lutemi për zgjedhje të drejta,” thotë ky 55-vjeçar, i mbështjellë me flamur amerikan. “Ne besojmë tek ideali amerikan dhe duam që të gjithë të kenë mundësinë të votojnë në kushte sigurie”.
TENSIONE NGA QENDRA E NJU JORKUT NË TEKSAS
Qendra Amerikane për Liri Civile dhe grupe të tjera për liri civile thonë se po ndjekin me vëmendje nëse ka sinjale për kërcënim ndaj votuesve. Zyra e të Drejtave Civile pranë Departamentit të Drejtësisë tha se ka dërguar punonjës në 18 shtete.
Punonjës të Komitetit Avokat për Të Drejta Civile në Bazë të Ligjit, një grup aktivist me seli në Uashington, tha për gazetarët se janë të shqetësuar nga problemet teknike të makinave të votimit në tre komuna në Xhorxhia, gjë që ka detyruar votuesit të mbushin fletë-votime letre dhe ka krijuar shqetësim se mund të mbarojnë fletë-votimet prej letre.
Ndaje me miqte