Trump kërkon këmbime tregtare të drejta dhe të balancuara
ATSH
26 Shtator 2018
NJU-JORK, ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi në OKB këmbime tregtare të drejta dhe të balancuara, duke justifikuar vendimet e tij të fundit ekonomike, duke u fokusuar kryesisht me Kinën.
“Çekuilibri tregtar me Pekinin nuk mund të tolerohet”, shtoi ai nga tribuna e Asamblesë së Përgjithshme në Kombet e Bashkuara që zhvillohet një herë në vit.
Taksat e reja doganore amerikane, prej 10% mbi 200 miliardë dollarë importe kineze, hynë zyrtarisht dje në fuqi dhe pritet të kenë një impakt mjaft negativ mbi rritjen e ekonomisë globale.
Nga ana tjetër Pekini pritet të vendosë tarifa doganore kundrejt 60 miliardë dollarë produkteve amerikane si kundërpërgjigje për masat amerikane.
SHBA më e fortë, më e sigurtë dhe më e pasur
Një vit më parë kam qenë këtu për t’ju thënë se çfarë do të bëjmë, sot jam këtu para jush për të folur për përparimin e jashtëzakonshëm që Amerika ka bërë, theksoi presidenti i SHBA, Donald Trump në Asamblenë e OKB-së.
“Në dy vjet administrata ime ka bërë përparime të mëdha, pothuajse më shumë se çdo administratë tjetër’’, shtoi ai.
‘’Ekonomia po rritet si kurrë më parë, ne kemi krijuar miliona vende pune. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të forta, më të sigurta dhe më të pasura se kur kam marrë detyrën dy vjet më parë”, theksoi presidenti Trump në OKB.
Ndaje me miqte