Kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe presidenti turk Recep Tayipp Erdogan, kanë konstatuar një klimë më të mirë sa se në takimin e tyre të mëparshëm, në muajin korrik, sipas burimeve qeveritare grek të cituara nga agjencia ANA-MPA.
Të dy ata u takuan për një orë, në kuadër të pjesëmarrjes së tyre në sesionin e 73-të të asamblesë së përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.
Sipas të njëjtave burime, të dy palët ranë dakord të vënë sërish në tryezë një axhendë pozitive për marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve dhe zoti Erdogan e ftoi kryeministrin grek për një takim zyrtar pune që do të zhvillohet në Stamboll.
Kryeministri grek theksoi se për promovimin e marrëdhënieve dypalëshe ka rëndësi kruciale respekti ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe ulja e tensionit në detin Egje. U ra dakord që të intensifikohen kontaktet në këtë drejtim dhe të vihen në zbatim masat e krijimit të besimit.
Tsipras dhe Erdogan ndanë të njëjtin mendim se duhet përforcuar bashkëpunimi i autoriteteve të të dy vendeve për zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi, me qëllim reduktimin e mëtejshëm të fluksit të refugjatëve dhe emigrantëve.
U ra gjithashtu dakord për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë (përballimi i terrorizmit dhe shkatërrimi i rrjeteve të trafikantëve).
Burimet qeveritare greke thanë se gjatë takimit presidenti Erdogan shtroi sërish çështjen e tetë ushtarakëve turq që u larguan për në Greqi pas tentativës së dështuar për grusht shteti (korrik 2016), duke përsëritur qëndrimet konstante të Ankarasë për këtë temë.