0030 210 33 18 483

Tsipras: "Ditë historike"?, Mitsotakis: "Ditë e zymtë"?

Tribuna TV 25 Janar 2019

“Sot është një ditë historike. Greqia blindon një pjesë të rëndësishme të historisë së saj, trashëgiminë e Maqedonisë antike greke”, nënvizon kryeministri grek Aleksis Tsipras me një mesazh në rrjetet sociale, menjëherë pas votimit të Marrëveshjes së Prespës.

“Sot shkruajmë një faqe të re për Ballkanin. Urrejtja e nacionalizmave, konfliktet dhe përplasjet i lëshojnë vendin miqësisë, paqes dhe bashkëpunimit”.

“Brezat e ardhshëm në të dy vendet do të jenë mirënjohës për deputetët që me kurajë e guxim hodhën themelet për një të ardhme paqeje, solidariteti dhe bashkezistence harmonike ndërmjet dy popujve tanë”.

“Maqedonia Veriore që lindi sot do të jetë një vend mik. Aleat dhe mbështetës i Greqisë në përpjekjet e veta për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e përbashkët të rajonit”.

 

Brukseli përshëndet

Votimin e marrëveshjes së Prespës kanë përshëndetur me një deklaratë të përbashkët presidenti i KE Jean-Claude Juncker, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme Federica Mogherini dhe komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn.

“Përshëndesim nxehtësisht hapin krucial për votimin e marrëveshjes së Prespës, që u arrit me votimin e sotëm në parlamentin grek. Që nga fillimi BE mbështeti marrëveshjen historike që nënshkruan dy kryeministrat, Tsipras e Zaev, pas negociatave nën kujdesin e OKB-së. U desh kurajo politike, lidership dhe përgjegjësi për zgjidhjen e një prej konflikteve më konsekuente në rajon. Të dy vendet e rrokën këtë shans unikal, duke dhënë një shembull pajtimi për Europën në tërësi dhe duke forcuar perspektivën europiane të rajonit. Ndërsa presim hapat e tjerë procedurialë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, tashmë mund të themi me siguri se Athina dhe Shkupi kanë shkruajtur së bashku një faqe të re për të ardhmen tonë të përbashkët në BE.

 

Mitsotakis: “Një ditë e vështirë për Greqinë”

“Sot është një ditë e vështirë, e zymtë për Greqinë. Qeveria, me një shumicë konjukturale, votoi marrëveshjen e dëmshme të Prespës. Ratifikimi i saj do të thotë se njihet zyrtarisht gjuha maqedonase dhe identiteti për banorët e Shkupit, për herë të parë nga një qeveri greke. Braktiset në këtë mënyrë një vijë kombëtare dekadash. Zoti Tsipras tha “po” aty ku gjithë paraardhësit e tij kishin thënë “jo”. Arsyet i di vetëm ai”, ka deklaruar pas votimit kryetari i demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis.

Ndaje me miqte