Tsipras flet për marrëdhëniet me Shqipërinë. Kotzias: "Shtrijmë ujërat territoriale në 12 milje"?.
Tribuna TV
20 Tetor 2018
Kryeministri grek Aleksis Tsipras, gjatë marrjes së detyrës së ministrit të jashtëm, ka veçuar marrëdhëniet me Shqipërinë, si një nga sukseset e politikës së jashtme.
Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës nga ministri në largim, Nikos Kotzias, Tsipras fillimisht ka përshëndetur vendimin e parlamentit maqedonas për fillimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese.
"Sot është një ditë simbolike dhe historike për politikën tonë të jashtme, pas vendimit të djeshëm të parlamentit të Shkupit, që i hap rrugën realizimit të një marrëveshjeje historike”, tha Tsipras.
“Por në Ballkan nuk është vetëm marrëdhënia jonë me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, por është dhe në tërësi marrëdhënia jonë me vende të tjera, si me Shqipërinë”, tha Tsipras dhe shtoi:
“Mundëm t'ii japim perspektivë integrimit europian të Shqipërisë, duke vënë bazat për zbatimin e marrëveshjes mbi zonat detare. Dhe ligjin për minoritetet. Po promovojmë ndryshimin e teksteve shkollore, ndërsa varrosëm për herë të parë të vdekurit tanë, heronjtë e luftës së dytë botërore”.
Kotzias në fjalën e tij iu referua negociatave për zonat detare me Shqipërinë dhe Italinë, duke theksuar se “ndodhemi në fazën përfundimtare”.
Ministri i jashtëm në largim bëri gjithashtu të ditur se është gati dekreti presidencial për shtrirjen e ujërave territoriale të Greqisë në 12 milje. Kotzias tha se në fazën e parë do të përfshihet Othonoi dhe gjithë ishujt e vegjël rreth tij, deri në Antikythera, një ishull i vogël në veriperëndim të Kretës.
“Mbi këtë bazë bëhet zgjerimi nga 6 në 12 milje”, tha Kotzias, duke shtuar: “Kjo do të na lehtësojë edhe diskutimet për ZEE me Italinë dhe Shqipërinë”.
Ai sqaroi se 12 miljet do të shtrihen aty ku është e mundur, ndërsa në zonat e ngushta do të zbatohet parimi i vijës së mesme.
Ndaje me miqte