Tsipras: Greqia do të ketë fjalën e parë dhe të fundit për të ardhmen e saj
Tribuna TV
05 Korrik 2018
"Pas pak ditësh Greqia del përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme nga programet e shpëtimit. Aty ku qeveritë tuaja dështuan, qeveria jonë ia arriti”, deklaroi kryeministri Aleksis Tsipras duke iu drejtuar liderit të opozitës gjatë debatit parlamentar me temë ekonominë, të enjten.
Tsipras tha se “mbikqyrja e ekonomisë greke do të bëhet në trajtën e raporteve për ecurinë e saj”, “pikërisht ashtu siç bëhet me gjithë vendet që u përfshinë në programe shpëtimi dhe dolën prej tyre”, dhe se “fjala e parë dhe e fundit për ndërhyrjet që do të bëhen u përkasin qeverive të zgjedhura të vendit”.
“Thënë shkurt, Greqia do të ketë sërish fjalën e parë dhe të fundit për të tashmen dhe të ardhmen”, theksoi Tsipras.
“Imazhi i vendit ka ndryshuar me shpejtësi, papunësia është ulur me 7 njësi brenda një trevjeçari dhe papunësia e të rinjve afër 20 njësi. 350.000 vende të reja pune janë krijuar faktikisht dhe ky numër pritet të rritet në mënyrë të konsiderueshme sa gjatë këtij viti, aq edhe vitet e ardhshme”, vazhdoi Tsipras.
Objektivat fiskalë për çdo vit të programit të tretë u tejkaluan së tepërmi. Dhe kjo ndodhi pa qenë nevoja për reduktime për shumicën sociale. Gjithashtu, pas një dhjetëvjeçari, Greqia evidenton ritme pozitive të zhvillimit ekonomik.
“2017-u mbyll me një rritje të PPB thuajse 1,5% dhe në tremujorin e parë të këtij viti është regjistruar shtimi me 2,3% i PPB, thuajse sa gjashtëfishi i eurozonës që kishte një rritje 0,4% tremujorin e parë.
Gjithë këto janë vetëm fillimi i një rruge që vazhdimisht do të përshpejtohet. Veçanërisht pas vendimit deciziv dhe do të thoshja historik, të Eurogrupit.
Tani fillon periudha më kritike, prandaj dhe po përpunojmë qysh tani ndërhyrjet e domosdoshme që gradualisht do të sjellin normalitetin në vendin tonë dhe do të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
Kjo Greqi mbaroi, zoti Mitsotakis, epilogun e ka shkruajtur ndërkaq populli grek që është sovrani i vetëm dhe absolut në këtë vend. Greqia e djeshme, e falimentimit, e korrupsionit mbaroi. Greqia e të sotmes dhe e të nesërmes, është një vend që qëndron sërish në këmbët e veta. Po e gjen sërish dinjitetin e humbur, po gjen sërish forcën e humbur.
Bashkë me përpjekjen e madhe kombëtare për rimëkëmbje ekonomike dhe sociale, po vë rregull në shtëpi. Dhe po i pret lidhjet me plagët e të kaluarës.
Mblidheni mendjen top, zoti Mitsotakis, Greqia nuk do të kthehet mbrapa. Këtë nguliteni mirë në mend.