Në Greqi është intensifikuar fushata për zgjedhjet europiane dhe ato lokale që do të mbahen më 26 maj.
Edhe grekët pajtohen që këto zgjedhje konsiderohen si vendimtare për të ardhmen e Europës.
Por këtu beteja elektorale ka tone të theksuara kombëtare.
Sepse partitë kryesore greke i kanë dhënë fushatës karakterin e një ballafaqimi elektoral, prej të cilit do të rezultojë qeveria e ardhshme e vendit.
Gjithë partitë e opozitës bashkohen në kërkesën e tyre për t’u mbajtur sa më shpejt zgjedhje të parakohshme.
Por kryeministri Aleksis Tsipras ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në përfundim të mandatit qeveritar të SYRIZA-s, që është muaji tetor.
“Kjo është një përzgjedhje strategjike. Tashmë ka dëshmi të prekshme se vendi po i rikthehet normalitetit”, tha kryeministri grek gjatë një interviste televizive.
I pyetur për sondazhet që i japin një avantazh mjaft të madh partisë më të madhe opozitare, Demokracia e re, Tsipras u përgjigj me një nuancë humori:
“Jam mësuar që të humbas në sondazhe dhe të fitoj në kutinë e votimit”, tha kryeministri grek.
Përkundër reagimeve të fuqishme kundër marrëveshjes së Prespës, Tsipras vlerësoi se realiteti i ri i krijuar në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut do të ketë impakt pozitiv për SYRIZA-n në zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas tij, qytetarët e ndjejnë se çfarë është në dobi të vendit dhe këtë do ta shprehin në momentin e votimit.
Ndërkaq, partia më e madhe e opozitës, komentoi se Tsipras “përsëriti të njëjtat gënjeshtra për Marrëveshjen e Prespës”.
“Përgjigjen do ta marrë pas 40 ditësh në kutitë e votimit”, përfundon komenti lakonik i Demokracisë së re.