Tsipras: Marrëdhënie strategjike me Kinën
TV TRIBUNA
26 Prill 2019
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar në Pekin se vendi i tij promovon një marrëdhënie strategjike me Kinën, por duke respektuar edhe angazhimet e Greqisë si vend anëtar i BE-së.
Aleksis Tsipras është një nga pak liderët prej vendeve anëtare të bashkimit Europian, që po merr pjesë aktivisht në samitin e Rrugës së mëndafshtë.
Gjatë ndërhyrjes së tij, Tsipras ka theksuar se Greqia shfrytëzon pozitën unikale, siç tha, gjeopolitike, në pikëtakimin e tre kontinenteve.
“Duam që rajoni ynë, Mesdheu Juglindor, por edhe Ballkani të mos jenë kufijtë, po urat ndërmjet Lindjes dhe perëndimit”.
Teksa afrohet fundi i mandatit katërvjeçar, Aleksis Tsipras po punon kohët e fundit që të përcjellë në opinionin vendas imazhin e Greqisë si një fuqi e butë rajonale.
Në këtë drejtim e kanë ndihmuar sinergjitë dy e trepalëshe, me vende të Ballkanit e të Mesdheut Lindor.
Përcjellja e këtij imazhi, natyrisht, lidhet edhe me zgjedhjet europiane dhe lokale që do të mbahen muajin e ardhshëm, por edhe ato kombëtare që sipas të gjitha gjasave do të mbahen në vjeshtë.
Një nga kompanitë më të mëdha kineze, Cosco, ka marrë me koncension portin e Pireut, ku po kryen një investim gjigand, me vlerë të përgjithshme 600 milionë euro.
Tsipras tha në samitin e Pekinit se objektivi është që porti të lidhet me akset rrugore Bullgari – Deti i Zi – Rumani si dhe Maqedoni e veriut dhe Serbi.
“Rrjetet e interkonjeksionit do të forcohen me investimet e Kinës në vendin tonë, në fushën financiare dhe teknologjike gjatë viteve të ardhshëm”, tha kryeministri grek.
Më herët këtë muaj, kryeministri grek mori pjesë në takimin e Dubrovnikut, ku Greqia u bë pjesëtari më i ri i Iniciativës 16+1.
Ndaje me miqte