Tsipras: Marrëveshja me Shqipërinë mund t'i paraqitet parlamentit brenda prillit
Tribuna TV
20 Mars 2018
Athina zyrtare nuk ka bërë ende asnjë koment për vendimin e presidentit Ilir Meta që t'i akordojë Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati plotfuqishmërinë për të negociuar me palën greke marrëveshjen për kufirin detar.
Në fakt ky ka qenë një vendim i pritshëm, edhe pse media greke i kishte dhënë ngjyra "komplotiste" disa javë më parë vendimit fillestar të Presidentit për ta kthyer mbrapsht kërkesën e Minitrisë së Jashtme shqiptare.
Sot media greke e arsyeton vendimin e atëhershëm të presidentit Meta si "qartësisht të karakterit kushtetues".
Mediat greke vënë në dukje se vendimi i djeshëm i Presidentit u publikua pak orë pasi dy Ministrat e Jashtëm Kotzias e Bushati ishin takuar në Bruksel, në kuadër të Ministeralit të zakonshëm të BE-së.
Edhe pse e ka mirëpritur zhbllokimin e negociatave, media vendase ka shfaqur dhe një lloj skepticizmi, teksa nënvizon se duhet pritur vazhdimi dhe konkludimi i negociatave.
Madje për ta bërë edhe më "pikant" reagimin, shtrojnë pyetjen "nëse sulltani (presidenti turk, Erdogan) do ta lejojë Ramën që të nënshkruajë marrëveshjen dhe ta ratifikojë në parlament"...
Gjithësesi, negociatat Athinë-Tiranë për të gjitha çështjet problematike duket se tashmë po i afrohen fundit.
Madje kryeministri Tsipras është shprehur se marrëveshja eventuale me Shqipërinë do të mund t'i paraqitet parlamentit grek brenda muajit prill.
Kështu deklaroi kryetari i partisë To Potami, Stavros Teodorakis, i cili kishte një takim kokë më kokë me shefin e qeverisë greke.
Ndaje me miqte