Tsipras, mesazh për daljen nga programi i shpëtimit
Tribuna TV
21 Gusht 2018
“Sot në atdheun tonë po gdhihet një ditë e re, sot është një ditë lehtësimi, por edhe nisja e një epoke të re”, ka vënë në dukje kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një mesazh drejtuar popullit grek nga ishulli i Itakës, me rastin e daljes së Greqisë nga programi i shpëtimit.
Itaka ishte përzgjedhur jo më kot, përderisa ishulli i Odiseut simbolizon destinacionin përfundimtar të çdo qëllimi të madh, që arrihet (ose jo) pas një rrugëtimi të gjatë e mundimshëm.
Me një mesazh gjithashtu plot simbolizma, kryeministri grek tha se “Odiseja” moderne që kaloi vendi nga viti 2010, mori fund. Se “memorandumet përfundimisht mbaruan” dhe se “vendi po rifiton të drejtën që ta përcaktojë vetë të ardhmen e tij”.
“Nuk do të harrojmë kurrë shkaqet dhe personat që e çuan vendin në politikat e shtrëngesës”, tha më tej Tsipras, duke shtuar se “këto janë mësimet e një vendi që po e shkruan në kohën e tashme faqen e re të historisë së saj”.
Në përfundim të mesazhit, Tsipras tha se “qysh sot, fillojmë me vizion dhe vendosmëri, për epokën e re të atdheut tonë. Me korrektesë dhe përgjegjësi që të mos kthehemi mbrapa në Greqinë e deficiteve dhe të falimentimit. Por edhe me guxim për rilindjen e Greqisë. Për një atdhe të barazisë, demokracisë dhe drejtësisë sociale”.
Ndaje me miqte