Tsipras, në Sofie, për samitin BE-Ballkani Perëndimor
Tribuna TV
16 Maj 2018
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka udhëtuar të mërkurën drejt Sofies, për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Mbrëmjen e të mërkurës, Tsipras ka asistuar si vëzhgues në takimin e partisë Socialiste Europiane.
Samiti që zhvillohet të enjten, më 17 maj, do të synojë të kapë fillin 15 vjet pas axhendës së Selanikut-2003, ku deklarohej qartazi se “e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Europian”.
Gjithashtu, pritet të konfirmohet sërish perspektiva e integrimit në BE të vendeve të rajonit.
Sipas objektivave të Komisionit Europian, synimi është që të konfirmohet përkushtimi i Brukselit ndaj partnerëve të ballkanit Perëndimor dhe të përsëritet se rajoni e ka vendin në familjen europiane. Ajo që kërkohet është që intensifikimi i lidhjeve BE-Ballkani perëndimor nëpërmjet infrastrukturave, mjeteve digitale dhe njerëzve të fuqizojë bashkëpunimin për përballimin e problemeve të përbashkëta si siguria, emigracioni, zhvillimet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Në samit do të marrin pjesë përveç liderëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare të BE-së, edhe liderët e gjashtë partnerëve të BE në Ballkan: Shqipëria, Bosnja, Serbia, mali i Zi, Ish republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Kosova.
Gjithashtu pritet të ndodhet edhe përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme Federica Mogherini dhe komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn.
Ndaje me miqte