Tsipras: negociatat me Shqipërinë, "më të vështirat"?
Tribuna TV
18 Maj 2018
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras është shprehur “jashtëzakonisht optimist” për finalizimin e negociatave me Shqipërinë, që i ka cilësuar si më të vështira në raport me ato që Athina po zhvillon me Shkupin.
Në konferencën për shtyp që dha për gazetarët grekë në Sofie, pas përfundimit të samitit BE-Ballkani perëndimor, Tsipras e ka shpjeguar vështirësinë e negociatave me faktin se të dy palët po përpiqen të zgjidhin të mbartin çështje që nga lufta e dytë botërore.
"Sa i përket Shqipërisë, e thashë edhe në samit, negociatat me Shqipërinë ishin më të vështira, kanë zgjatur më shumë kohë. Kini parasysh që kemi për të zgjidhur çështje që janë të hapura që prej Luftës së dytë botërore dhe se ndodhemi ende në gjendje lufte. Është çështja e zonave ekskluzive ekonomike, një çështje kruciale. Dhe një sërë çështjesh të tjera, mes të cilave edhe të drejtat e minoritetit grek. Gjendemi në një rrugë shumë të mirë. Jam relativisht (nuk dua të përdor fjalën “i sigurt”), por do të them jashtëzakonisht optimist se do të kemi një finalizim pozitiv edhe për këtë brenda qershorit.
Tani, nëse Shqipëria do të marrë dritën jeshile për të filluar procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, kjo nuk varet vetëm nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe. Është një çështje më e gjerë, me të cilën mendoj që do të merremi më shumë, sa kohë që afrohet samiti i rëndësishëm i qershorit. Ka disa vende që kanë një përqasje të ndryshme për këtë temë; po kërkojmë të gjejmë zgjidhje”, përfundoi kryeministri grek.
Ndaje me miqte