Tsipras: "Nuk kemi interes nga një Shqipëri e Madhe në kufijtë tanë"?
Tribuna TV
10 Janar 2019
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka paralajmëruar se një shpërbërje e mundshme e IRJ të Maqedonisë, mbart rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe.
Tsipras e përdori këtë hamendje gjatë një interviste televizive, duke argumentuar se Marrëveshja e Prespës i shërben interesave të Greqisë.
“Greqia nuk ka asnjë interes nga një destabilizim në kufijtë e saj veriorë. Nuk ka asnjë interes të ketë një front të hapur në një vend që do të mund të ishte një hapësirë jetike për ekonominë tonë dhe bizneset tona. Nuk ka asnjë interes nga shpërbërja e atij vendi dhe mundësia e një “Shqipërie të Madhe” në kufijtë tanë. Dhe sigurisht, nuk ka asnjë interes të shpenzojë kapitale diplomatike në një periudhë kur kemi një komshi nevrik (Turqia), i cili përbën kërcënim për Greqinë, ndërsa ish Republika Jugosllave e Maqedonisë nuk përbën kërcënim”, tha Tsipras.
Gjatë intervistës për televizionin Open, Tsipras tha se e konsideron marrëveshjen e Prespës si arritjen më të madhe të mandatit të tij, pas daljes së Greqisë nga programet e shpëtimit.
Kryeministri grek sqaroi se ai do të nisë procedurën për miratimin e marrëveshjes së Prespës nga parlamenti grek, sapo të përfundojnë procedurat në parlamentin e Shkupit.
“Synoj që sapo të votohet në parlamentin e Shkupit dhe ministria e jashtme greke të njoftohet me notë verbale mbi përfundimin, menjëherë do t’ia kaloj rezultatin presidentit të republikës, kryetarit të parlamentit dhe partive politike, që të verifikojnë nëse ndryshimet kushtetuese respektojnë kuadrin e marrëveshjes së Prespës. Pastaj do të merrem vesh me kryetarin e parlamentit që të fillojnë procedurat”.
Tsipras tha se nota verbale nga Shkupi do të mbërrijë jo më vonë se fundi i javës së ardhshme.
Rrjedhimisht, kryeministri grek, parashikoi se Marrëveshja e Prespës do të kalojë për votim në parlamentin vendas brenda janarit.