Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka deklaruar se Athina mund të mos miratojë hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Zoti Tsipras e bëri këtë deklaratë pas publikimit nga qeveria shqiptare të hartave ku pezullohet kalimi i titujve të pronësisë në zonën e Bregdetit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, me kryeministrat e Rumanisë, Bullgarisë dhe presidentin e Serbisë në Bukuresht, Tsipras u shpreh në favor të dhënies së një date për çeljen e negociatave Maqedonisë së Veriut.
Dhe shtoi:
"Do të isha i lumtur nëse mundesha të them të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë. Mirëpo për fat të keq po shohim kohët e fundit disa zhvillime që nuk na kënaqin. Sot mësova se ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri. Nëse kjo është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ.
Rrjedhimisht është një çështje që për fat të keq në këto momente nuk na ofron optimizmin sa i përket perspektivës europiane të atij vendi që po përballet me sfida të rëndësishme dhe të cilave duhet t’iu përgjigjet. Mirëpo premisat që të lëvizim në atë drejtim nëse vërtetohen informacionet që kemi, besoj se nuk ekzistojnë. Shpresoj të përgënjeshtrohem, sepse vullneti i të gjithë neve është që tërësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëjë hapa në kahun e reformave të nevojshme, me qëllim që perspektiva europiane të bëhet realitet.
Nuk jemi dogmatikë, e shqyrtojmë secilin vend në veçanti, shikojmë progresin që bën, duhet të inkurajojmë hapat pozitive dhe duhet të jemi kërkues kundrejt atyre vendeve që nuk janë ende gati të bëjnë këto hapa", tha Tsipras.
Mundësia e vendosjes së vetos nga ana e Greqisë është përmendur disa herë gjatë viteve të fundit në Athinë.
Por ky është paralajmërimi më zyrtar dhe më seriozi, pasi vjen nga shefi i qeverisë greke.
Dhe në një moment që Tsiprasit i duhet të ngrejë tonet patriotike, ndërsa në Greqi është intensifikuar një fushatë elektorale e pashpallur për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më së voni në vjeshtë.
Një reagim ka ardhur edhe nga partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, që kërkon ndërprerjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
“Ne kemi paralajmëruar në kohën e duhur. Mirëpo qeveria Tsipras, ose nuk dëgjonte, ose i nënvleftësonte zhvillimet”, thuhet në deklaratën e Demokracisë së Re.
Edhe analistët vërejnë se reagimi i Athinës është i vonuar.
Analistët shtojnë se qeveria greke i dispononte mjetet politike, diplomatike dhe ekonomike, që të pengonte qysh në nisje atë që analistët e quajnë “plan i Ramës për shfarosur minoritetin grek në Shqipëri”.
Por analistët vërejnë se Athina nuk i përdori ato mjete pasi ishte përfshirë në negociatat me Tiranën për zgjidhjen e problemeve dypalëshe, negociatat që janë bllokuar prej më shumë se një viti.