0030 210 33 18 483

Tsipras prezanton strategjinë për Greqinë pas daljes nga programi i shpëtimit

Tribuna TV 21 Maj 2018

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka prezantuar para kabinetit qeveritar, projektin për strategjinë e Greqisë pas daljes nga programi i masave shtrënguese, që parashikohet për në muajin gusht.

Greqia po rikthehet dhe po rikthehet me plan, me përgjegjësi dhe me hapa konstantë, deklaroi Tsipras në hyrje të fjalimit të tij.

“Finalizimi i vlerësimit të katërt është një tjetër hap vendimtar drejt daljes përfundimtare të vendit nga periudha e memorandumit, por nuk është i vetmi; ende mbeten disa hapa në këtë finish ku kemi hyrë”, shtoi kryeministri grek.

Sipas zotit Tsipras, hapi i parë është konkretizimi i masave për rregullimin e borxhit grek, për të cilin tha se “janë në zhvillim e sipër diskutimet që do të prodhojnë rezultat, i cili rezultat do të miratohet në Eurogrup... Po punojmë fuqimisht që të kemi zgjidhjen më të mirë të mundshme në kuadrin favorizues që realisht është përshkruar. Ky është kushti i fundit që të çlirohet një pjesë e madhe e dinamikës investuese që po evidentohet faktikisht”.

Siç theksoi kryeministri grek, pika më kruciale nga të gjitha është planëzimi për ditën e nesërme, për të cilën nënvizoi: “Nëse deri më sot i jemi referuar konturimit të përgjithshëm dhe principeve të vizionit tonë për Greqinë pas memorandumit, tashmë ka ardhur koha që kjo të konkretizohet. Ky plan do të diskutohet dhe do të miratohet nga këshilli i ministrave, do t’u jepet gjithë krahëve të parlamentit dhe do të përbëjë objekt diskutimi në Eurogrupin e ardhshëm”.

Më tej Tsipras vuri në dukje se në strategjinë e vendit për ditën e ardhshme gjenden luftimi i punës së padeklaruar, rikthimi i parimeve bazike të kontratave kolektive të punës dhe rritja e pagës minimale. Këtu kryeministri nënvizoi se “përtej nevojës që të përfundojmë me statusin e pamoralshëm të punës së paguar keq, rritja e pagave është element bazik që të shtohet konsumi privat dhe të zgjerohet cikli i veprimtarisë ekonomike”.

Pikat e mësipërme vijnë që të plotësojnë një strategji zhvillimore e cila synon jo thjesht në krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe të vendeve më të mira se sot”, theksoi Tsipras.

Ndaje me miqte