Tsipras: Prioriteti ynë, rregullimi i tregut të punës dhe rritja e pagës minimale
Tribuna TV
31 Gusht 2018
“Në projektin tonë politik, objektivi ynë kryesor është mbështetja e atyre forcave sociale që mbajtën barrën më të madhe të krizës”, deklaroi kryeministri grek Aleksis Tsipras, duke folur në mbledhjen e këshillit të ministrave.
Sipas shefit të qeverisë, kjo mbështetje do të realizohet “Më së pari me rikthimin e kushteve dhe pagave dinjitoze për njerëzit e punës”.
“Pikërisht për këtë arsye shtrojmë si prioritet të parë rregullimin e tregut të punës dhe rritjen e pagës minimale”, theksoi kryeministri.
Tsipras vazhdoi duke thënë se “kusht për rikthimin e punësimit është krijimi i një mjedisi miqësor për investimet”. Në këtë drejtim, ka shumë rëndësi eficenca e administratës dhe luftimi i vatrave të korrupsionit në aparatin drejtues, që gjithashtu i largojnë investimet, qofshin greke apo të huaja”, nënvizoi Aleksis Tsipras.
Rikthimi i punësimit nuk ka të bëjë vetëm me rrogëtarët, por edhe me profesionistët e lirë, të vetëpunësuarit, fermerët dhe biznesin e vogël e të mesëm, vërejti kryeministri. Aty duhet të mëshojmë fort. Të dëgjojmë shenjat dhe kërkesat e tregut. Të gjejmë mënyrat konkrete për t’i lehtësuar këto kategori sociale, por të japim edhe shanse inoviteti, duke shfrytëzuar gjithë instrumentet e disponueshme. Që nga programet europiane e deri te kreditë e vogla dhe orientimin e bankës së zhvillimit. Jemi të obliguar t’i shpërndajmë fondet me eficencë, transparencë dhe drejtësi, theksoi shefi i qeverisë greke.
Sipas tij, ndërtimi i një shteti të ri social është një bosht i rëndësishëm i projektit politik të qeverisë. Tsipras tha kjo do të vendosë në masë të madhe edhe shenjën që do të lejë qeveria në fushat e sigurimeve shoqërore, kujdesit social, shëndetësisë dhe arsimit, ku siç tha “janë bërë faktikisht hapa të mëdhenj”.
Ndaje me miqte