0030 210 33 18 483

Tsipras "?? Rama takohen sot në Londër

Robert GORO 10 Korrik 2018

Kryeministri grek Aleksis Tsipras do të takohet të martën pasdite me homologun e vet shqiptar, Edi Rama.

Takimi do të zhvillohet gjatë punimeve të Procesit të Berlinit, ku është ftuar për herë të parë dhe shefi i qeverisë greke.

Sipas zyrës së shtypit të zotit Tsipras, takimi i tij me zotin Rama do të fillojë rreth orës 17,40 (sipas orës së Londrës) dhe do të zgjasë 40 minuta.

Nuk ka detaje për axhendën e takimit.

Por besohet se dy kryeministrat do të shqyrtojnë ecurinë e deritanishme të negociatave Athinë – Tiranë për konkludimin e një marrëveshjeje – paketë, për çështje të nxehta midis dy vendeve, disa prej të cilave datojnë që nga lufta e dytë botërore.

Takimi Tsipras – Rama ka edhe më shumë interes, pse zhvillohet vetëm dy ditë pasi media greke shkruajti se Athina zyrtare po mendon ta shtyjë nënshkrimin e marrëveshjes me Tiranën, pas reagimeve të fuqishme të opinionit grek për shkak të marrëveshjes së Prespës për emrin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

“Stuhia e reagimeve për marrëveshjen e Prespës ka krijuar shqetësim në selinë kryeministrore. Prandaj dhe mendohet shtyrja e zgjidhjes së disa problemeve (më Shqipërinë), pasi të finalizohet rruga e mundimshme e ratifikimit të marrëveshjes për emrin”, shkruajti në fundjavë gazeta Kathimerini.

Por gazeta vinte në dukje se “negociatat me Tiranën nuk kanë për t’u ndërprerë, posaçërisht ndërmjet komisioneve që po merren me anën teknike të marrëveshjes për zonat ekskluzive ekonomike”.

Ndaje me miqte