Tsipras: Është momenti të vështrojmë të ardhmen. Dita e re është plot shpresë"?
Tribuna TV
02 Korrik 2018
"Eshtë momenti të vështrojmë të ardhmen. Ditën e re. Dhe dita e re është plot shpresë”, theksoi kryeministri grek, Aleksis Tsipras duke folur në mbledhjen e këshillit të ministrave, të hënën.
“Vendimi i Eurogrupit ishte një vendim që Greqisë i takonte, një vendim që përbën njohjen më minimale të sakrificave të popullit grek që nuk ishin gjithmonë të drejta”, tha Tsipras.
Kryeministri tha më tej se për herë të parë që nga fillimi i krizës, një qeveri greke po planizon zgjerimin fiskal, domethënë rritjen e shpenzimeve publike dhe ofertat për qytetarët. Tsipras ishte i kujdesshëm në formulimin e tij.
“Ne nevojitet një zgjerim i arsyeshëm. Një zgjerim me dy synime: nga njëra anë mbështetja e shtresave më të dobëta dhe nga ana tjetër ripërtëritje e zhvillimit ekonomik”, tha shefi i qeverisë greke, duke dhënë koordinatat përkatëse:
- Rregullim i tregut të punës me rikthimin e kontratave kolektive,
- Rritje e pagës minimale
- Lehtësime tatimore me vlerë 700-750 milionë euro nga 2019-a e më tej, që për herë të parë do të evidentohen në buxhetin e vitit të ardhshëm,
- Forcim i shtetit social me theks te shëndetësia
- Dhënia edhe sivjet e dividentit të solidaritetit social, në kategori shoqërore që e kanë nevojë,
- Përmirësimi i performancës së sektorit publik,
-Tërheqje e investimeve dhe krijim i një klime miqësore për investitorët.
- Ruajtje e nivelit të ulët të TVSH-së në ishujt që janë prekur nga kriza e refugjatëve, vendosja e një subvencionimi ekuivalent për transportin në gjithë ishujt dhe dyfishimi i financimeve nga fondet europiane për vepra zhvillimi në ishujt e Egjeut.
Me masat për borxhin po bëhet një hap vendimtar me qëllim që në plan afatmesëm nevojat bruto për financime të shtetit grek të mos tejkalojnë 15% të produktit të përgjithshëm të brendshëm”, theksoi Tsipras.
“Gjithashtu kemi siguruar kthimin e fitimeve të bankave qendrore europiane dhe BQE nga bondet greke që kishin blerë, me vlerë 4,8 miliardë euro. Kthimet do të bëhen me këste vjetore, nëse Greqia respekton rregullat fiskale për të cilat u ra dakord”, sqaroi kryeministri.
“Kryesorja, kemi siguruar një jastëk financimi me vlerë rreth 25 miliardë euro. Kjo është një masë kruciale, një valvulë sigurimi që mbulon nevojat financiare të vendit për të paktën dy vjet pas përfundimit të programit të mbështetjes”, nënvizoi kryeministri grek.
Ndaje me miqte