0030 210 33 18 483

Tsipras: "Shtetin klientelist nuk e bëmë ne. Por ne kemi përgjegjësinë që ta korrigjojmë"?

TV TRIBUNA 15 Mars 2023

Kryetari i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras ka sulmuar ashpër qeverinë me shkas tragjedinë në Tempi dhe, sipas tij, përpjekjet për shpërndarjen e përgjegjësisë nga zyra e kryeministrit dhe Demokracia e Re.

“Unë nuk jam zënë me përgjegjësinë. E kam marrë dhe e marr përgjegjësinë, por atë që më përket”, tha gjatë një interviste në televizionin Mega Channel, duke nënvizuar se qeveria e SYRIZA-s mori përgjegjësitë në momente kritike për “çështje madje që nuk kishin të bënin me mandatin tonë. Në 2015 mora përgjegjësinë që mos të shkojë vendi drejt falimentimit dhe u gjenda në shënjestër se bëra kolotumba. Më vonë mora përgjegjësinë që të bëja atë që e konsideroja si interes patriotik për vendin dhe u gjenda në shënjestër për marrëveshjen e Prespës. e mora përgjegjësinë dhe për tragjedi që përjetova dhe ku u humbën jetë njerëzish, që ndërkaq nuk kishin shkaqe njerëzore, ishin katastrofa natyrore, por u gjenda në përgjegjësi dhe e mora”.

“Këtë shtet të korruptuar dhe ineficent nuk e bëmë ne. Mirëpo ne kemi përgjegjësinë që ta korrigjojmë”.

“Kemi një ngjarje tragjike që nuk duhej të ndodhte. Është e paimagjinueshme. Nuk ka asnjë justifikim. Për 12 minuta dy trena lëviznin në drejtim të kundërt, në të njëjtën linjë, ndërsa kishte dy palë shina”, vërejti Tsipras dhe shtoi: “ky shtet që është stisur në këtë mënyrë nuk i ofron qytetarit as sigurinë më elementare”.

 

Sa i përket defekteve kronike të shtetit grek, Tsipras tha: “Unë, as babain kisha kryeministër, as xhaxhain. Secili ka përgjegjësitë që i takojnë. Kyriakos Mitsotakis flet për defekte kronike dhe përgjegjësi kronike, mirëpo sa ai vetë, aq edhe ministri që u dorëhoq janë pinjollë familjesh që e qeverisën vendin për 60 vjet. Demokracia e Re e koncepton sigurinë vetëm që të shtojë numrin e policëve. Nuk kemi mjekë, infermierë, dispeçerë trenash, etj”.

Tsipras u pyet edhe për pozicionimin lidhur me përgjegjësitë e tij për tragjedinë e Matit (zjarri në korrik 2018). “Është e vështirë të njëjtësohen tragjeditë. Ndërkaq, njëra i dedikohet një fenomeni ekstrem natyror, u shkaktua nga një katastrofë natyrore që u përhap për shkak të menaxhimit skandaloz nga aparati shtetëror. Në të dytën kemi një tragjedi që i dedikohet qartë faltorit njerëzor”.

 

I pyetur nëse do të japë dorëheqjen në rast se humb zgjedhjet, Tsipras u përgjigj: “Një politikan gjykohet nga populli. Ju garantoj se e ndjej marrjen e detyrave qeveritare si përgjegjësi. Nuk ndjej se historia më ka borxh, unë i kam borxh historisë. Nëse partia ime masivisht kishte vendosur që fajin për humbjen e ka Tsipras, do të isha larguar dhe do të shkruaja libra. Ne i marrim vendimet në mënyrë kolektive, për zgjedhjen time kanë vendosur 150.000 anëtarët. E rëndësishmja është nëse vendi do të ndryshojë drejtim dhe ndryshimi më i madh do të jetë që për herë të parë do të kemi një proporcional të thjeshtë që do të çojë në qeveri bashkëpunimi”.

Sa i përket qeverisë së parë, në bashkëpunim me Kamenon, tha:

“U detyrova të qeveris me një partner që ishte i kundërt ideologjikisht dhe kjo u shfaq në marrëveshjen e Prespës. tani ekziston mundësia që të shkojmë në një marrëveshje programatike të forcave progresiste”.

Ndërsa për sulmet që i bën kryetari i PASOK-KINAL tha: “Zoti Andrulakis pretendon vota nga e njëjta ‘çisternë’, është normale që të bëjë kritikë. Ndërkaq, midis të tashmes dhe vazhdimin është në mes momenti kritik i verdiktit popullor, që do të na japë mundësinë të shohim nëse do të mundim të bëjmë një qeveri progresiste në vend”.

Ndaje me miqte