Në përfundim të turit të dytë të zgjedhjeve, kryeministri grek, Aleksis Tsipras vizitoi qendrat elektorale të kandidatëve të SYRIZA-s, rena Dourou dhe Nasos Iliopoulos, në Syntagma.
Tsipras shprehu urimet për gjithë ata që fituan në zgjedhjet administrative, ndërsa posaçërisht për kanaidatët e SYRIZA-s nënvizoi se ata dhanë një betejë me kulturë politike dhe mbrojtën me dinjitet pikëpamjet e tyre.
Tsipras tha se “në politikë, ashtu si dhe në jetë, ka rëndësi të dish të fitosh, por ka rëndësi të dish edhe të humbasësh”.
”Por më e rëndësishme është të ngrihesh përsëri e të luftosh”, shtoi Tsipras, duke dashur të japë një mesazh në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 7 korrikut.
“Bashkojmë forcat tona për të dhënë betejën e betejave që janë zgjedhjet kombëtare të 7 korrikut”.
Tsipras vuri në dukje se sistemi i ri zgjedhor që u zbatua në këto zgjedhje parashikon konsensusin dhe konvergimin programatik dhe politik në këshillat bashkiakë dhe ato të periferisë.
Sipas tij, është e rëndësishme që në këshillat bashkiakë dhe ato të periferive të gjendet terren i përshtatshëm për vendime kolektive në dobi të qytetarëve.