Tsipras: "Vendi po shkon më mirë... Jemi kthyer në normalitet"?
Tribuna TV
29 Qershor 2018
Revista e madhe franceze “Le Point”, publikon të enjten një suplement prej 32 faqesh kushtuar Greqisë, me titullin e përgjithshëm “Greqia, Rilindja”. “Le Point”, publikon edhe një intervistë ekskluzive me kryeministrin grek, të titulluar “Aleksis Tsipras: Askush nuk e besonte”.
Në pyetjen e tyre të parë, gazetarët kanë bërë një përmbledhje: “Europianët vlerësojnë se reformat tuaja patën sukses dhe nuk keni nevojë për një tjetër program axhustimi, rritja ekonomike shkoi te 2% dhe do të mundeni sërish të merrni kredi nga tregjet. A jeni një njeri i lumtur?”.
“I lumtur... është vështirë të thuash, por sigurisht më i lumtur se më përpara”, përgjigjet Tsipras dhe shton: “Do të thosha se vendi im po shkon më mirë dhe se përzgjedhjet e vështira të viteve të fundit po japin fryte. Vendimet e guximshme duan kohë që të zbulojnë vlerën e tyre. Gjërat janë përmirësuar dhe ja ku jemi sërish në normalitet. Mirëpo, edhe pse fituam një betejë të vështirë, lufta vazhdon”.
Duke iu referuar referendumit të 5 korrikut 2015 dhe ndryshimit të politikës me nënshkrimin e marrëveshjes me kreditorët një javë më vonë, Tsipras shpjegon:
“Para referendumit vendi im ishte në një kurth. Kreditorët nuk na linin asnjë hapësirë... më kërkonin sakrifica kolosale, reforma befasuese, por pa para. Vendosëm të organizonim referendumin që Greqia të kthehej në brendësi të gjërave dhe të përfitojë një fuqi në negociatat. Referendumi u mundësoi të gjithëve të vetëdijesohen për presionet... T’ju kujtoj se asnjëherë nuk thashë që dua ta shoh Greqinë jashtë euros. Bëra një kompromis me kushte të vështira për Greqinë, por fituam mjaft kohë dhe para që t’i realizojmë përshtatjet me një mënyrë më normale. Dhe isha në gjendje të rikthehem te populli duke i ofruar një perspektivë”.
Kryeministri grek tha se partnerët europianë “disa herë ishin të pakënaqur” me të, pasi nuk i prisnin gjithë këto... “Mirëpo në fund të gjithë e kuptuan, kreditorët dhe vetë grekët. Sepse popullit i duhej thënë e vërteta. Po të mos bënim gjë, vendi do të kishte falimentuar. Përfundimisht, referendumi kishte mjaft vlera: nga njëra anë luajti rolin e valvulës demokratike të sigurisë, sepse grekët shprehën ndjenjat e tyre. Nga ana tjetër, mundësoi që të gjendej një marrëveshje më e mirë në dobi të të gjithëve”, ka shtuar Tsipras.
Vërejtjes së gazetarëve francezë që, në fakt, nuk u zgjodh që të bënte këto lloj reformash, Tsipras i përgjigjet: “Grekët e kuptuan se reformat do të na lejonin të përcaktojmë një perspektivë, një të ardhme, ndërsa ishim në një situatë falimentimi. Në ato moment, koha është gjëja më e çmuar për një qeveri që përballet me një krizë të tillë. Koha dhe e vërteta. Në 2015-n Greqia nuk kishte asnjë kredibilitet gjeopolitik. Sot, tre vjet më vonë, jemi çliruar nga ajo situatë. Jemi sërish një shtyllë stabiliteti. Greqi përbën pjesë të zgjidhjes, nuk është më Problemi”, ka nënvizuar kryeministri grek, në intervistën për revistën franceze “Le Point”.
Ndaje me miqte