Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare në Greqi do të zhvillohen në vjeshtë 2019 e jo më herët.
Në këtë mënyrë, Tsipras iu është përgjigjur edhe një herë skenarëve që mëtojnë mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme bashkë me ato për parlamentin Europian dhe për pushtetin lokal, që do të zhvillohen në muajin maj.
Tsipras foli në mbledhjen e grupit parlamentar të SYRIZA-s në pushtet.
“Të mos shpresojnë se do t’u bëjmë hatrin që të zhvillojmë më herët zgjedhjet e përgjithshme. Gotat e hidhura ata do t’i pinë një nga një”, tha kryeministri grek.
“Në fillim do të vijë zhgënjimi i madh për ta nga zgjedhjet europiane dhe pastaj, në vjeshtë, humbja e tyre përfundimtare, në votën e zgjedhjeve kombëtare”, shtoi Tsipras.
Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Tsipras tha se votuesit kanë për të zgjedhur ndërmjet dy rrugëve:
“Populli së shpejti do të ftohet të vendosë nëse vendi do të vazhdojë rrugën që çon te rimëkëmbja ekonomike dhe sociale, apo do të zgjedhë një rrugë tjetër, e cila çon në drejtimin e kundërt. Sepse mund të ngjajë me një kryqëzim, por në fakt njëra rrugë të shpie drejt dhe rruga tjetër në prapakthim. Prapakthim në vitet e krizës, në vitet e shtrëngesës së thellë”, tha Aleksis Tsipras.
Reagimi i Demokracisë së Re
Ndaj fjalimit të kryeministrit Tsipras ka reaguar partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re:
Aleksis Tsipras ka guximin të tundë gishtin, në kohën që duhej më në fund të kërkonte një ndjesë për të këqijat që u solli grekëve dhe veçanërisht shtresës së mesme dhe më të dobtëve.
Do mbetet i vetëm në botën e arrogancës së tij.
Sepse grekët do ta ndëshkojnë ashtu siç i takon, më 26 maj.