0030 210 33 18 483

U-21/ Tafa dhe Mitaj: Sllovenia e Kosova të vështira

ATSH 09 Nentor 2021

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ U-21/ Shqipëria U-21 ka nisur grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy ndeshjeve të radhës ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023.

Kuqezinjtë do t’i zhvillojnë të dyja ndeshjet në transfertë, fillimisht ndaj Sllovenisë më 12 nëntor, ndërsa katër ditë më vonë do të luajnë kundër Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi arriti të fitonte ndeshjen e parë ndaj Sllovenisë që u luajt në stadiumin “Elbasan Arena” më 11 tetor, ndërsa kuqezinjtë shpresojnë të arrijnë sërish të marrin tre pikë pavarësisht se ndeshja është e vështirë.

Në prag të këtyre dy ndeshjeve, në një konferencë për mediet kanë dalë dy futbollistët e ekipit Shpresa, Angelo Tafa dhe Mario Mitaj.

Tafa u shpreh se brenda skuadrës atmosfera është shumë e mirë si dhe nga gjendja fizike nuk ka probleme, duke pasur një grup të plotë. Portieri kuqezi që aktivizohet me klubin e Kukësit u shpreh se dy ndeshjet në transfertë ndaj Sllovenisë dhe Kosovës janë të vështira, por skuadra do të japë maksimumin për të marrë tre pikët.

Edhe talenti shqiptar i AEK-ut, Mario Mitaj theksoi faktin se skuadra po kalon një gjendje të mirë, ndërsa u shpreh se skuadra ndaj Sllovenisë do të futet me të njëjtin mentalitet si në “Elbasan Arena” për të marrë tre pikët.

Ndaje me miqte