Ukraina: Janë shkatërruar 14 avionë, 8 helikopterë dhe 102 tanke ruse
ATSH
26 Shkurt 2022
KIEV, 26 shkurt /ATSH-AA/ – Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka njoftuar se kanë shkatërruar 14 avionë, 8 helikopterë, 102 tanke dhe 536 automjete të blinduara të forcave ruse ndërsa nënkryetari i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mikhail Podolyak ka thënë se janë neutralizuar mbi 3.500 ushtarë rusë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm thuhet se Rusia ka filluar të vendosë njësi ushtarake shtesë në rajonet në kufirin me Ukrainën.
Në deklaratën ku vihet në dukje se janë rritur humbjet e ushtrisë ruse, bëhet e ditur se “Humbjet e parashikuara të trupave ruse janë 14 avionë, 8 helikopterë, 102 tanke, 536 automjete të blinduara, 15 artileri dhe sisteme ‘Buk‘”.
Nënkryetari i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mikhail Podolyak, në një deklaratë lidhur me situatën në vendin e tij vuri në dukje se luftimet vazhdojnë në qytetet Herson, Mikolayev, Odesa dhe Mariopol.
Ai tërhoqi vëmendjen se Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe policia kanë nën kontroll situatën në vend. “Nën kontroll është edhe situata në Kiev dhe në rajonin e Kievit”, theksoi Podolyak.
“Deri më tani janë vrarë mbi 3.500 ushtarë rusë ndërsa 200 janë zënë rob”, tha ai.
Ndaje me miqte