0030 210 33 18 483

Unë votoj vetëm për fëmijën tim

Armela HYSI KELIRAKI 17 Maj 2023

Kohë zgjedhjesh: nga këtej kufirit, nga andej kufirit, nga tutje matanë.., dhe shumica e emigrantëve shqiptarë të Greqisë brenda kufizimit të përhershëm tridhjetë e ca vjeçar. Mental kryesisht, le ta pranojmë. - Natyrisht! Natyrisht! E kemi thënë dhe e themi sa herë na jepet rasti: S’kemi shtet; S’kemi fat; Po dhe këtu ku erdhëm..; Ç’t’i bësh.?!

Tani, që “Shteti” s’është ndonjë aparaturë mrekullibërëse nga Atlantida që ka mbetur e pagroposur, fundosur oqeaneve a fluturuar Andromedës, pra që s’është zhdukur bashkë me të, ndaj s’teproi për të marrë edhe ndonjë syresh nga ne shqiptarët e Greqisë, por është një grupim njerëzish normal dhe që të funksionoi në dobi të anëtarëve të tij nevojitet secili pre nesh të jetë i denjë dhe ndërgjegjshëm për detyrat e veta, këtë le ta lëmë mënjanë. Apo jo?

Pa edhe fati, sado të shpresojmë se do të na vij ndonjëherë në dorë, kush nga të gjithë ne ia la punën e vet, bukën e vet e të fëmijës së tij, - edhe në momentet më të vështira të jetës së vet - pritjes absurde? Apo i vumë shpatullat punës kur kaptuam kufirin dhe vendosëm të jetonim në emigrim. Besuam tek fuqia e krahëve tanë, mendjes dhe forcës shpirtërore, tek vitaliteti ynë largpamës dhe tek guximi, pa të cilin s’do kishim krijuar këto që kemi secili prej nesh sot. Çdo gjë që disponojmë dhe krenohemi, por dhe njëkohësisht ia vlen të jetojmë për to.

Dhe janë shumë, janë vërtet shumë të gjitha ç’kemi arritur. Ashtu siç janë shumë edhe sakrificat. Për çdo anëtarë të një shoqërie, jeta ka grafikun e vet unik personal por s’mund të mos e ndiejmë të gjithë se ekziston edhe ai sfond i përbashkët që është emëruesi i përbashkët që ndikon tek të gjithë sado të përveçëm të duam të quhemi.

Sado mirë apo jo mirë t’ia kemi çuar me jetën tonë personale të deritanishme përherë e pa ndalim duhet të gjithë njerëzit të interesohemi për shoqërinë ku jetojmë, medoemos. Është si të thuash të mos i japim fare rëndësi faktit që sikur ta kishim në dorë përmirësimin e relievit, lartësisë mbi nivelin e detit e klimës etj, të mos e përdornim vetëm e vetëm sepse mund ta kemi shtëpinë në katin tonë të preferuar dhe të jemi shumë të kënaqur me këtë arritje. Është e rëndësishme, pa përjashtim për të gjithë, të kemi marrë fitoret dhe sukseset tona si komunitet dhe kjo hynë tek ato tema të padiskutueshme. Është përfitim personal i rëndësishëm për secilin të jemi ata që do votojmë për përfaqësuesit shqiptarë në parlamentin grek çfarëdo bindjesh politike që të kemi, qoftë edhe vetëm sepse kjo do të na transformonte menjëherë në një komunitet që fushatat e ardhshme elektorale do të na përfshinin energjikisht në grupimet që sistematikisht do të preokupoheshin pothuaj çdo një nga forcat politike të vendit të na “marrë me të mirë” dhe të “premtoi” përmirësime të standardeve të jetesës. Dhe në vazhdim qeveria e secilës radhë të vërë mjaftë veprim për t’i realizuar.

Shumë nga emigrantët s’kanë dokumentet greke, leje ligjore për të votuar, e drejtë! Ky do të ishte dhe pikërisht hapi i parë që do të këmbëngulnin të gjithë për t’u realizuar, nëse sot do të shfrytëzohej në mënyrën më të përsosur gjatë këtyre votimeve të 21 Majit, kontingjenti i tërë personave që disponojnë mundësinë për të votuar. Kontaktimi dhe bindja e secilit që të kuptojnë edhe fëmijët, të rinjtë tanë të mrekullueshëm, edhe familjarët e miqtë që mbase preferencat e tyre s’janë zgjuar ende të merren me politikë, apo thjesht s’kanë dëshirë të votojnë, se apolitizmi; përveç se është një iluzion në diskutim, pasi edhe ky sipas meje përzgjidhje politike është; a indiferenca, është si të duam të jemi pacifistë gjatë një uragani. Dy beteja të ndryshme pa lidhje, në ditën e sotme dhe nevojën e sotme.

Koha ka treguar se çdo e drejtë shoqërore apo individuale dhe përmirësim jetese në tërë historinë e njerëzimit është fituar me vizionin e dikujt dhe me mbështetjen e shumëkujt

që shikon me largpamësi. Historia ka treguar që popujt që shikojnë mbështetjen e shoqërisë dhe jo mëvetësinë, si kulturë dhe edukim të përgjithshëm kanë ecur përpara dhe janë sot shembulli i shteteve më të mirë-organizuar në të gjithë botën.

Të mendojë secili nga ne, nga të gjithë ata që kanë ëndrra për fëmijët e tyre, se duhet çarë akulli nga dikush, dhe jemi me fat që sot ekzistojnë ata luftëtar të orëve të para. Kandidatët e parë me origjinë shqiptare. Po luftohen nën zë apo me klithje nga kudo. E kuptueshme... Udha e tyre s’është e shtruar me petale, edhe po të fitojnë këtë vend në parlament, por është e qartë që janë këto përpjekje të tyre që po shtrojnë një udhë për të gjithë. E kjo duhet mbështetur një orë e më parë, pa pritur shans të ri, pa ia lënë fatit!

Pikërisht kësaj radhe!

Ndaje me miqte