0030 210 33 18 483

Uragani “Zorbas” pritet të godasë Greqinë

Tribuna TV 28 Shtator 2018

Autoritetet greke thonë se ndodhen në gatishmëri të plotë për të përballuar goditjen e një uragani mesdhetar, në orët e ardhshme.

Bëhet fjalë për uraganin “Medicanes”, që e ka marrë emrin nga bashkimi i fjalëve Mediterranen = Mesdheu dhe hurricanes = uragan (në anglisht), dhe që zakonisht shfaqet në rajonin e Mesdheut dy herë në vit.

Shqetësimi i autoriteteve është rritur edhe në shumë të premten paradite, kur shërbimi meteorologjik italian paralajmëroi se uragani me emrin “Zorbas” ka shumë gjasë të shndërrohet në një tajfun, me erëra që do të arrijnë shpejtësinë deri 160 km/orë.

Pas brigjeve të Italisë së jugut, uragani Zorbas pritet të mbërrijë në Greqi orët e para të së shtunës, të përfshijë gjithë vijën bregdetare greke e të vazhdojë në ishullin e Kretës.

Ndërkohë, shërbimi meteorologjik grek bëri të ditur se të shtunën, dallgët që do të krijojë uragani do të arrijnë në 11 metra lartësi.

Vala aktuale e motit të keq në Greqi, që u emërtua si “Ksenofon” nga shërbimi i emergjencave civile, vazhdon që prej dy ditësh, me erëra të rrëmbyeshme dhe rënie shumë të ndjeshme të temperaturave. Në zonat me lartësi mbi 1.800 metra, janë shënuar dhe borërat e para të stinës.

Problemet e krijuara janë të shumta.

Transporti detar i pasagjerëve thuajse është paralizuar, pasi shumica e linjave nuk funksionojnë që prej dy ditësh.

Në shumë zona të vendit, por edhe në kryeqytetin Athinë, zona të tëra kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndërprerje të energjisë elektrike, prej problemeve që janë shkaktuar kryesisht nga rrëzimi i pemëve, duke shkatërruar shtyllat apo prerë kabllot e korrentit.

Në Athinë gjithashtu të premten nuk kanë funksionuar shkollat, ashtu sikurse dhe në zonën e Peloponezit dhe në Greqinë perëndimore.

Sipas autoriteteve, vendimi është marrë për shkak të motit të keq dhe ruajtjes së sigurisë së nxënësve.

Gjatë gjithë ditës, shërbimi i emergjencave këshillon qytetarët se si të ruhen nga moti i keq, sidomos në ato zona ku fenomenet do të jenë tepër intensive.

Ndaje me miqte