0030 210 33 18 483

Ushtria ruse duket se zhvendos fokusin nga ofensiva ndaj Kievit

Zeri i Amerikes 27 Mars 2022

Forcat ruse në Ukrainë duket se e kanë zhvendosur fokusin nga një ofensivë tokësore që kishte si objektiv kryeqytetin Kiev, duke i dhënë përparësi atij që Moska e quan çlirimin e rajonit të kontestuar të Donbasit në lindjen industriale të vendit, thanë zyrtarët të premten, duke sugjeruar një fazë të re të luftës.

Duket ende herët për të ditur nëse kjo do të thotë që Presidenti Vladimir Putin po zvogëlon ambiciet e tij në Ukrainë, por lëvizjet ushtarake ruse këtë javë tregojnë pohimin e realitetit të një rezistence të fortë ukrainase.

Forcat e Putinit janë nën presion të madh në shumë pjesë të vendit dhe Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera po përshpejtojnë transferimin e armëve dhe furnizimeve në Ukrainë. Ditët e fundit, zyrtarët amerikanë kanë thënë se po shohin prova të kalimit të forcave mbrojtëse ukrainase në ofensivë në përmasa të kufizuara në disa zona të vendit.

Duke e paraqitur lëvizjen në një dritë pozitive, zëvendës shefi i shtabit të përgjithshëm rus tha se forcat e tij kishin arritur kryesisht "objektivat kryesore" të fazës së parë të atij që Moska e quan një "operacion ushtarak special" në Ukrainë. Gjeneral Kolonel Sergei Rudskoi tha se forcat ruse kishin "dobësuar ndjeshëm" fuqinë luftarake të ushtrisë ukrainase dhe si rezultat trupat ruse mund të "përqendroheshin në përpjekjet kryesore për të arritur qëllimin kryesor, çlirimin e Donbasit."

Një muaj luftimesh i kanë lënë forcat ruse të bllokuara në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë në drejtim të Kievit. Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se forcat tokësore ruse ditët e fundit kanë treguar pak interes për të përparuan në Kiev, megjithëse ato po vazhdojnë sulmet ajrore ndaj kryeqytetit.

"Të paktën për momentin, ata nuk duket se duan të vazhdojnë në mënyrë agresive madje aspak ofensivën ndaj Kievit. Ata janë të fokusuar tek Donbasi," tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar vlerësimet e brendshme amerikane për luftën.

Që nga fillimi i agresionit rus më 24 shkurt, presidenti Putini ka qenë i paqartë në përcaktimin publikisht të synimeve të tij ushtarake në Ukrainë. Ai është shprehur se qëllimi ishte "çmilitarizimi" dhe "denazifikimi" i qeverisë së vendit si dhe "çlirimi" i Donbasit, një pjesë e të cilit ka qenë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014. Presidenti rus grumbulloi më shumë se 150,000 trupa në kufijtë e Ukrainës dhe më pas i urdhëroi ata drejt objektivave të ndryshëm, në vend që të përqendrohej në një objektiv të vetëm strategjik si Kievi apo Donbasi.

Ndaje me miqte