Vatikan, për të parën herë, një grua në krye të administratës shtetërore
ATSH
05 Nentor 2021
ROMË / ATSH-DPA/ – Papa Françesku ka emëruar për herë të parë një grua në krye të administratës shtetërore të Vatikanit.
“Motër Raffaella Petrini u emërua sekretare e përgjithshme e guvernatoriatit të qytetit të Vatikanit”, njoftoi Selia e Shenjtë.
Ajo është gruaja e parë që mban postin e dytë më të lartë në guvernatoriat, që mbikëqyr muzetë e Vatikanit dhe shërbime të tjera shtetërore të tij, si zyrën e thesarit dhe pullave.
Më parë, 52-vjeçarja nga Roma ishte pjesë e Kongregacionit për Ungjillizimin e Popujve dhe kryente punë misionare.
Papa Françesku është fokusuar te gratë në vendimet e tij për personelin, muajt e fundit.
Në fillim të vitit, ai e bëri teologen Nathalie Becquart gruan e parë në historinë e Kishës Katolike që shërben si nënsekretare në Sinodën e Peshkopëve.
Më pas, në gusht, Papa Françesku emëroi motër Alessandra Smerilli si Sekretare e përkohshme e Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, që fokusohet në çështjet e migrimit dhe varfërisë.
Ndaje me miqte