0030 210 33 18 483

Vdes Gordon Banks, legjenda e portës angleze që i tha “Jo” Peles

Tribuna TV 12 Shkurt 2019

Ish-portieri anglez Gordon Banks, fitues i Kupës së Botës në vitin 1966, ka vdekur në moshën 81-vjeçare, njoftoi të martën klubi Stoke City.

I lindur në 30 dhjetor 1937, Banks luajti 628 ndeshje gjatë karrierës së tij 15 vjeçare. 73 ndeshje të tjera i luajti me Kombëtaren Angleze, duke qenë pjesëmarrës në dy Kupa Bote, 1966 dhe 1970.

Federata ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) e ka renditur të dytin në listën e portierëve më të mirë të shekullit të 20-të, pas Lev Jashinit dhe Dino Xofit.

Në 1972 Banks u shpall Futbollisti i vitit nga FIFA, që gjithashtu e shpalli 6 herë fitues të titullit Portieri i Vitit.

Banks e nisi futbollin në moshën 16 vjeç, në 1953 me Chesterfield FC. Debutimin në ekipin e parë e bëri në 1958 dhe në 1959 u shit te Leicester City për 7.000 paund. Me Lesterin luajti në katër finale të kupës, duke fituar një, në 1964. Një tjetër Football Cup e fitoi me Stoke në 1972. Te Stoke shkoi në 1967, me një çmim prej 50.000 paundësh.

 

“Pritja e shekullit”

Në Botërorin e Meksikës (1970), Gordon Banksi kreu një nga pritjet më mbresëlënëse në historinë e futbollit botëror. Gjatë ndeshjes me Brazilin (ku Anglia u mund 0-1), stopoi një gjuajtje me kokë të Peles, duke e detyruar futbollistin më të madh të të gjitha kohërave që ta përgëzonte. Kjo pritje kaloi në histori si “pritja e shekullit”.

“Kam shënuar më shumë se 1.000 gola, mirëpo të gjithë mbajnë mend atë që humba”, ka deklaruar vite më vonë Pele.

Njëlloj dhe Banks: “Njerëzit nuk më mbajnë mend si fitues të Botërorit 1966, po për atë pritje. Gjithë sa takoj në rrugë duan të dinë se si ndalova goditjen e Peles”.

Banks qëndroi në përfaqësuesen e Anglisë deri në tetor 1972, kur pësoi një aksident automobilistik që kishte si rezultat të humbiste shikimin nga njeri sy.

Megjithatë, disa vite më vonë bëri një kalim nga SHBA, ku luajti 37 ndeshje me Fort Lauderdale Strikers në sezonin 1977-1978 dhe e mbylli karrierën në Irlandë me St Patrick's Athletic.

Ndaje me miqte