Vera e kaluar më e nxehta e regjistruar në Evropë
ATSH
25 Prill 2022
LONDËR, /ATSH-DPA/ – Në vitin 2021 Evropa ka përjetuar verën më të nxehtë, deklaruan sot shkencëtarët e BE-së.
“Temperatura ishte një gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020”, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike “Copernicus” në raportin e tij vjetor, i cili u fokusua te zjarret që shkatërruan Greqinë, Turqinë dhe Italinë dhe te përmbytjet shkatërruese në Evropën Perëndimore.
Studiuesit e klimës hodhën një vështrim më të afërt në katastrofën e përmbytjeve në mesin e korrikut të viti 2021 në shtetet gjermane të Rheinland-Pfalz dhe North Rhine Westphalia, që shkaktuan vdekjen e mbi 180 banorëve.
Më 14 korrik 2021, në Belgjikë dhe Gjermaninë Perëndimore u regjistruan reshje rekord shiu.
“Katastrofa u zhvillua edhe më tej si pasojë e një sasie jashtëzakonisht të madhe të shirave në javët e fundit, dhe toka nuk ka qënë në gjendje të thithte ujë të mjaftueshëm”, thuhet në raport.
Rajoni i Mesdheut përjetoi një valë të nxehti intensiv dhe të zgjatur në korrik dhe gusht, ndërsa rekordet e temperaturës më të lartë u regjistruan në Itali dhe Spanjë.
Sipas raportit, përqindja e gazeve që dëmtojnë klimën në atmosferën e Tokës, që janë shkaku kryesor i ngrohjes globale, është rritur sërish vitin e kaluar, veçanërisht metani.
Megjithëse metani mbetet në atmosferë për një periudhë më të shkurtër kohore, ai është edhe më i dëmshëm se dyoksidi i karbonit dhe prodhohet në bujqësi ose në industrinë e naftës dhe gazit.
Shkencëtarët mendojnë se pasojat më katastrofike të ndryshimeve klimatike mund të shmangen vetëm duke kufizuar ngrohjen globale në një maksimum prej 1.5 gradë në krahasim me kohërat paraindustriale.
Ndaje me miqte