VIDEO me titra Shqip: Tsipras, mesazhi i plotë për daljen nga programi i shpëtimit
Tribuna TV
21 Gusht 2018
“Sot në atdheun tonë po gdhihet një ditë e re, sot është një ditë lehtësimi, por edhe nisja e një epoke të re”, ka vënë në dukje kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një mesazh drejtuar popullit grek nga ishulli i Itakës, me rastin e daljes së Greqisë nga programi i shpëtimit.
Itaka ishte përzgjedhur jo më kot, përderisa ishulli i Odiseut simbolizon destinacionin përfundimtar të çdo qëllimi të madh, që arrihet (ose jo) pas një rrugëtimi të gjatë e mundimshëm.
Me një mesazh gjithashtu plot simbolizma, kryeministri grek tha se “Odiseja” moderne që kaloi vendi nga viti 2010, mori fund. Se “memorandumet përfundimisht mbaruan” dhe se “vendi po rifiton të drejtën që ta përcaktojë vetë të ardhmen e tij”.
“Nuk do të harrojmë kurrë shkaqet dhe personat që e çuan vendin në politikat e shtrëngesës”, tha më tej Tsipras, duke shtuar se “këto janë mësimet e një vendi që po e shkruan në kohën e tashme faqen e re të historisë së saj”.
Në përfundim të mesazhit, Tsipras tha se “qysh sot, fillojmë me vizion dhe vendosmëri, për epokën e re të atdheut tonë. Me korrektesë dhe përgjegjësi që të mos kthehemi mbrapa në Greqinë e deficiteve dhe të falimentimit. Por edhe me guxim për rilindjen e Greqisë. Për një atdhe të barazisë, demokracisë dhe drejtësisë sociale”.
I gjithë mesazhi i kryeministrit Tsipras:
Sot në atdheun tonë po gdhihet një ditë e re.
Një ditë historike. Memorandumet e shtrëngesës, të recesionit, dhe të shkretimit social, më në fund mbaruan.
Vendi ynë po rifiton të drejtën që të përcaktojë vetë fatet dhe të ardhmen e tij. Si një vend normal europian.
Pa detyrime të jashtme, pa shantazhe të tjera.
Pa sakrifica të tjera të popullit tonë.
“Vendi ynë është i mbyllur, e mbyllin dy simbligada *) të zeza”, thotë poeti.
Këto simbligada ne i lamë pas. Duke e ditur se Greqia është historia e saj.
Arritjet, betejat, por edhe dhimbjet. Domethënë, ato që përcaktuan rrugëtimin e saj në rrjedhën e shekujve.
Një rrugëtim që nuk ishte kurrë i lehtë. Por që gjithmonë kishte destinacion.
Madje edhe në ditët më të errëta, në furtunat më të mëdha.
Greqia përjetoi që nga viti 2010 odisenë e vet moderne.
Brenda pesë vjetësh ndodhën gjëra pa precedent për një vend në kohë paqeje.
U humb 25% e pasurisë kombëtare.
3 në 10 persona mbetën pa punë.
Gjithashtu 6 në 10 të rinj.
U zbatuan masa shtrënguese me vlerë 65 miliardë euro.
Dhuna dhe shtypja u bënë pjesë e përditshmërisë.
Demokracia u diskreditua.
Bankierë u bënë kryeministra dhe ministra u bënë bankierë.
Banda fashiste dolën nga strofullat e tyre pas 60 vjetësh.
Një vend me gjendje të vazhdueshme emergjence.
Dhe një popull i cili kurrë nuk pranoi fatin që i rezervonin të fuqishmit.
Dhe shkruajti faqe të reja rezistence.
Ky popull, para tre vjetësh e gjysmë mori një vendim historik.
Të marrë timonin e vendit nga duart e atyre që e hodhën tek shkëmbinjtë. Dhe t’ua japë kapedanëve të rinj.
E morëm atë përgjegjësi të rëndë. Me energji, vendosmëri, por edhe respekt ndaj sakrificave të popullit tonë.
Nuk rrugëtuam të sigurte, por kishim një siguri: Atë që na caktuan qytetarët.
Ta nxjerrim vendin nga ngushtica e memorandumeve dhe e shtrëngesës së pafundme.
Kaluam nëpër dallgë të shumta që të mbërrijmë sot në destinacionin tonë.
Ekuipazhi ndryshoi. Disa u trembën nga dallgët, të tjerë preferuan t’i zbusnin.
I dëgjuam shumë herë sirenat e kotësisë. Se gjërat në Greqi nuk kanë për të ndryshuar. Dhe se memorandumet do të jenë përgjithmonë këtu. Se nuk ka kuptim të rezistosh kur përballë teje qëndrojnë Lestrigonët **) dhe Ciklopët. Bishat që Greqia e vogël dhe e pafuqishme nuk kishte këllqet t’i mundte.
Mirëpo asgjë nga këto nuk i theu gjunjët tanë. Dhe kjo sepse njerëzit që vuajtën për të mbërritur në destinacion nuk ishim më të mënjanuar. Nuk ishin më të mbyllur në hambarin e anijes, pa zë, pa shpresë. Por ishin në timon. Bashkë me ne. Dhe në vështirësitë ishin ata që e mbajtën fort timonin.
Sot është një ditë lehtësimi. Por është edhe nisja e një epoke të re.
Dhe në këtë nisje nuk do të injorojmë mësimet e Greqisë së memorandumeve. Nuk do të lejojmë të na rrëmbejë harresa. Nuk do të bëhemi lotofagë ***).
Nuk do të harrojmë kurrë shkaqet dhe personat që e çuan vendin tek memorandumet.
Mbrojtjen e pasanikëve nga tatimet, korrupsionin e përgjithësuar,
Makutërinë e një sërë grupeve të biznesit dhe medias që për vite konsideronin se ky vend iu përket,
Cinizmin dhe përbuzjen e një elite politike e cila kujtoi se Greqia ishte një feud dhe grekët nënshtetas të bindur të tyre.
Nuk do të harrojmë kurrë ata që shkatërruan dhe zhvlerësuan Greqinë dhe grekët, ngase guxuan të mos pajtohen me konkretizimin e një eksperimenti neoliberal që do të zgjaste për dekada.
Mirëpo nuk do të harrojmë as ata që qëndruan në krah të grekëve dhe të Greqisë në momentet e vështira. Personalitete dhe forca politike nga e gjithë vendet europiane. Që rezistuan me forcë ndaj planeve për dëbim dhe ndëshkim të Greqisë.
Sepse e dinë që Greqia për Europën ka domethënie shumë më të madhe nga dimensionet fiskale.
Nuk do të harrojmë gjithë ato që përjetuam, sepse ato nuk janë thjesht materiale për historianët e të ardhmes. Por janë rezervat e një vendi që po shkruan faqen e re të historisë së saj, në kohën e tashme.
Dhe tani që arritëm në destinacionin tonë, dolëm nga memorandumet, jemi plotësisht të vetëdijshëm se nuk mbaruam këtu.
Beteja të tjera kemi përpara. Adhuruesit ****) modernë janë këtu dhe qëndrojnë akoma përballë nesh. Janë ata të cilët dëshirojnë ta shohin sërish anijen që ta rrahin dallgët dhe popullin sërish në hambarët. Gjithë ata që krijuan me shembëlltyrën e tyre Greqinë e korrupsionit dhe të allishverishit dhe të pushtetit të pakicës.
Ata që duan të vazhdojnë pa u prekur evazionin fiskal, të jetojnë si parazitë në kurriz interesit publik, duke pasur off shore-t dhe depozitat e tyre bankare jashtë shtetit. Ata që mendojnë se janë sipër çdo ligji dhe rregulli të një shtetit të së drejtës. Dhe që tmerrohen me idenë e një drejtësie të pavarur.
Nuk kemi për ta lënë Itakën në duart e tyre.
Tani që mbërritëm në destinacionin e shumëpritur, kemi forcën që ta ndërtojmë vendin tonë ashtu siç e meriton.
Ne grekët e shkruajtëm me luftë dhe sakrifica fundin e memorandumeve.
Nga sot nisemi me vizion dhe vendosmëri për epokën e re të atdheut tonë. Me korrektesë dhe përgjegjësi që mos të rikthehemi në Greqinë e deficiteve dhe të falimentimit.
Por edhe me guxim për rilindjen e Greqisë.
Për një atdhe të barazisë, demokracisë dhe drejtësisë sociale.
Sepse Itaka është vetëm fillimi.
-------------------------------------------------
*) simbligada = sipas mitologjisë ishin dy shkëmbinj të vendosur përbri njeri-tjetrit me gjasë në ngushticën e Bosforit, që vazhdimisht bashkoheshin e ndaheshin, duke mos u lënë mundësi anijeve që të kalonin.
**) Lestrigonët = gjigandë antropofagë që shkatërruan gjithë anijet e flotës së Odiseut, me përjashtim të njërës, në të cilën ndodhej mbreti i Itakës.
***) Lotofagët = popull që ushqehej me hurma të cilat kishin një efekt narkotik dhe u shkaktonte një pasivitet paqësor. Me ato hurme ushqenin edhe vizitorët të cilët më pas humbnin dëshirën për t’u kthyer në atdhe apo për të vazhduar udhëtimin.
****) Adhuruesit (në greqisht: mnistires = ishin aspirantët që kishin shkuar në Itakë dhe pretendonin të martoheshin me gruan e Odiseut, Penelopën. Kjo, besnike ndaj burrit të vet, u thoshte se do të martohej kur të mbaronte së enduri pëlhurën, të cilën e thurte ditën dhe shthurte natën.